Drejtori sportiv i Lazio-s, shqiptari Igli Tare, ka dhënë sot një intervistë për mediat italiane ku nuk ka nguruar të thumbojë indirekt Interin, skuadrën e cila ka nënshkruan me Stefan De Vrij dhe është në luftë së bashku me ta për një vend në “Champions League”.

Skuadra zikaltër të enjten depozitoi në ligën italiane kontratën e De Vrij, futbollistit të Lazio-s që në fund të sezonit do të transferohet te Inter si lojtar i lirë.

“De Vrij? Nuk ka ndonjë histori. Dikush dëshironte të luante pisët me këtë çështje duke thënë se u depozitua kontrata e De Vrij, por të gjitha këto u bënë për të shqetësuar Lazio-n dhe përgjigjen e morën mbrëmë. Ne nuk e vëmë në dyshim sjelljen e tij dhe lidhjen e tij me këtë fanellë, pasi ai e di shumë mirë se çfarë ka marrë nga kjo skuadër.

Championsi? Ne duhet ta meritojmë kualifikimin në fushë, ta sigurojmë njëherë matematikisht. Përgëzojmë Interin pasi pavarësisht vështirësive, ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm.

Nuk e di nëse ka qenë Interi, ai që dha një histori të tillë 10 ditë para përfundimit të kampionatit, kur ne kemi një luftë direkte. Kjo gjë mund të thuhej një muaj më parë ose në fund të kampionatit. De Vrij është një djalë që ka dhënë kaq shumë dhe ka marrë kaq shumë për katër vjet dhe ai meriton të largohet me respektin dhe duartrokitjet e publikut”, u shpreh Tare për mediat italiane.

Inter humbi në “San Siro” me rezultatin 1-2 kundër Sassulo-s në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë për javën e 37 të “Seria A”, duke i dhënë mundësinë Lazio-s që në rast fitoreje sot kundër Crotone-s të sigurojë vendin e fundit që të çon në “Champions League” para se dy skuadrat të luajnë bashkë në ndeshjen e fundit.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb