Igli Tare, drejt Federatës Shqiptare të Futbollit? Lajmi i dalë nga mediat italiane një ditë më parë nuk gjen konfirmim nga vetë personi në fjalë. Drejtori sportiv i Lacios, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, ka dashur të sigurojë se nuk ka ndër mend për momentin që të marrë asnjë post, cilido qoftë në institucionin e futbollit në vend.

Sipas tij, të tilla lajme vijnë nga mediat pranë klubit të Romës, rival i përjetshëm i Lacios. “Nuk është asgjë e vërtetë. Nuk kam asnjë synim për një rol të tillë, edhe për faktin se këtu ku jam (te Lacio), jam shumë i lumtur me këtë që po bëj. Janë spekulime të shtypit roman, gjëra të cilat i bëjnë për çdo vit”, ka sqaruar Tare. Emri i Igli Tares u lakua edhe në fillim të këtij viti, para se të bëheshin zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit, por ai nuk pranoi që të kandidonte, duke kërkuar që të vijonte punën në krye të klubit roman. Tare është drejtor te Lacio që nga 2007-ta, kur u largua nga futbolli i luajtur
(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb