TIRANE – Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Auron Tare ka prezantuar para investitorëve italianë projektin e rrugës Egnatia, përmes së cilës, kjo rrugë e lashtë synohet të kthehet në një destinacion turistik, që do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të zonës.

Prezantimi i projektit u bë në kuadër të hapjes së panairit Expo Sud Italia 2016, ku të pranishëm ishin ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo, si dhe Drejtoresha e ICE në Tiranë, Gabriella Lombardi.

Për këtë Dretori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, tha se Via Egnatia është një rrugë e cila u ndërtua mbi 2 mijë vite më parë nga ushtritë romake. Përveçse një rrugë ushtarake ka qënë edhe një rrugë tregtare. “Roma zhvilloi tregtinë në Ballkan e më gjerë nëpërmjet rrugës Egnatia, por edhe politika e diplomacia u zhvilluan edhe në këtë rrugë. Edhe prezenca e ambasadorit Cutillo është domethënës, sepse shumë ambasadorë kanë ecur në rrugën Egnatia për të bërë bisedimet diplomatike”, tha Tare.

Përmes Expo Sud Italia 2016, synohet të tërhiqet vëmendja në Itali dhe Shqipëri mbi projektin më të fundit turistik të qeverisë shqiptare për të përfshirë Rrugën Egnatia ndër itineraret turistike parësore të vendit dhe për këtë qëllim nisma tregtare është shtrirë edhe në qytetet e Durrësit dhe Elbasanit, të cilat ndodhen në kilometrat e para të arteries së rëndësishme të periudhës romake që lidhte Romën me Bizantin.

Tre qytetet pranë të cilave zhvillohet promovimi, Tiranë, Durrës, Elbasan prekin rrugën e lashtë Egnatia. Kjo synon ofrimin e një mbështetjeje ideale për vëmendjen e qeverisë shqiptare për të përfshirë arterien e rëndësishme të periudhës romake në pikat turistike prioritare dhe ta rigjallërojë me projekte të bashkërenduara nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.

Nëpërmjet këtij panairi, operatorët ekonomikë dhe konsumatorët do të kenë mundësinë të njohin prodhime të ndryshme italiane nga jugu i Italisë, si dhe të forcojnë raportet e bashkëpunimit mes dy vendeve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: