TIRANE
Pas publikimit nga News24 të aferës me tarifën shtesë, që ndërtuesit duhet t’i paguajnë koncensionarit të Sharrës, kanë reaguar Biznes Albania dhe Shoqata e Ndërtuesve. Ata e cilësojnë këtë, një vendim me natyrë klienteliste dhe korruptive. Kreu i shoqatës së ‘Biznes Albania’ Luan Bregasi thotë se është njohur me situaten që prej dy muajsh.
“Biznes Albania është njohur me këtë shqetësim para 2 muajsh nga shoqata e ndërtuesve. Eshtë e vërtetë që një kompani që ka marr licensën e një landfilli privat ka marr të drejtën eksluzive me VKM që të gjitha gërmimet që bëhen në Tiranë për të gjithë kompanitë edhe sektori publik janë të detyruar që ta cojnë këtë produkt në këtë landfill me nje pagese që është rreth 480 lek për ton.” -shprehet Bregasi
Për Biznes Albania, koncesionarit të inceneratorit të zonës së trajtimit të mbetjeve në Sharrë “Integrated Energy B. V”, me anë të koncesionit i është dhënë mundësia për t’iu vendosur ndërtuesve tarifa sipas interesit të tij.
“Është që është dhënë një PPP në mënyrë eksluzive një kompanie private që I cakton cmimet sipas interesave të tij. Tenderi i landfillit është bërë pa konkurencë pra është bërë më PPP e cila tashmë i kanë rritur kostot në mënyrë artificiale jo vetëm ndërtimit por dhe kompani të tjera që marrin PPP pa garë.”- vijon Bregasi
Për më tepër Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi pohon se ndërtuesit janë të detyruar ta paguajnë tarifën shtesë të koncesionarit, sepse në rast se dherat derdhen diku tjetër, policia bashkiake e penalizon me gjobë, masa e së cilës është edhe më e madhe sesa kjo tarifë.
‘Njësia e qeverisjes vendore duhet ta publikonte por ndërtuesit e paguan se kur të del ai i policisë bashkiake atje i vendos gjobë cdo kamioni. Tarifa që paguajmë është 480 lekë të reja për 1 ton, ka që paguajnë dhe mbetje të tjera 1200 lekë të reja 1 ton’ – tha Aleksi
Si Shoqata e biznesit ashtu dhe shoqata e ndërtuesve theksojnë faktin se bëhet fjalë për dhera të pakontaminuar, thënë ndryshe, dhera që mund të përdoren për qëllime të tjera dhe jo të përfundojnë në landfill mbetjesh. Atyre nuk iu është dhënë asnjë arsye se përse janë të detyruar që dherat e mbetura nga punimet, t’i shkarkojnë me cdo kusht në landfillin e Sharrës.
Biznesmenët dhe ndërtuesit thonë se për këtë koncesion ekskluziv i janë drejtuar me një letër qeverisë. Gjithashtu paralajmërojnë se këtë vendim klientelist dhe korruptiv do ta cojnë në gjykatën kushtetuese.
Shetësimi i bizneseve dhe ndërtuesve ka lindur për shkak të situatës së krijuar në landfillin e Sharrës, ku koncesionari i inceneratorit te zonës së trajtimit të mbetjeve “Integrated Energy B. V”, ka caktuar një tarife 480 lekë/ton, për cdo mjet që shkarkon dhera, nderkohë që merr nga Bashkia 29 euro për cdo ton mbetje organike të prodhuar nga banorët e kryeqytetit dhe zonave përreth. Situata monopol ka marrë miratimin e Bashkisë së kryeqytetit, ndërkohë që vendimi i qeverise per menaxhimin e mbetjeve ka dale që në vitin 2015 kur mbetjet trajtoheshin nga Bashkia e Tiranës.
(BalkanWeb)