Le ta themi qysh në krye të herës se tarifat e importit të vendosura më 2 prill nga Presidenti Trump nuk janë ide origjinale e tij dhe as të parat në historinë amerikane të shekullit të fundit. Ato janë “kopje” e Ligjit tarifor të propozuar nga kongresmenët Smoot dhe Hawley dhe të miratuar më 17 Qershor 1930. Mbi bazën e tij u vendosën tarifa të larta doganore mbi 20.000 mallra importi; të cilat shkonin deri në59 për qind për 3200 mallra.
Mirëpo ai ligj hasi qysh përpara miratimit në kundërshtime masive nga ekspertë, afaristë, tregjet dhe bursat e aksioneve. Tregojnë se dhe vetë Henry Ford i shkoi në zyrë Presidentit Hoover, duke i kërkuar të mos e miratonte atë “budallallëk”; mirëpo Hoover e dekretoi sepse e kishte premtuar në fushatën zgjedhore.
“Akti Ligjor Tarifor Smoot&Hawley” nuk pati asnjë ndikim pozitiv në ekonominë amerikane, madje ai i shtoi dhe rëndoi akoma më tepër pasojat katastrofale social – ekonomike të shkaktuara nga Depresioni i Madh Ekonomik i viteve 1929 – 1930. Kështu, mbas tarifave hakmarrëse të vendosura nga vendet e tjera, eksportet amerikane ranë 60 për qind, papunësia dhe inflacioni u rritën ndjeshëm, etj.
Më vonë, në vitet 90, nacionalizmin ekonomik tarifor e përqafoi dhe e promovoi miliarderi Ross Perot; ai ishte kundër Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Amerikën e Veriut, e cila u mundësonte konstruktorëve të automobilave amerikanë të transferonin prodhimin e tyre drejt Meksikës, ku pagat ishin më të ulta dhe sindikatat të dobëta. Perrot akuzonte prodhuesit e huaj se “po u shponin xhepat” amerikanëve dhe u zotua se po të zgjidhej President, ai do t’i kërkonte Japonisë dhe Gjermanisë 50 Miliard Dollarë si kompensime për shpenzimet amerikane për mbrojtjen e tyre.
Pas disfatës së tij në presidencialet e vitit 1992/1996, nacionalizmi ekonomik u shpall doktrinë e dështuar; vazhduan t’i besonin vetëm ndonjë djathtist si Pat Buchanan, ish këshilltar politik i Niksonit dhe tani Trump.
Duke iu rikthyer tarifave të Presidentit Trump, sipas ekspertëve të njohur, të tria synimet e tij kryesore janë të destinuara të dështojnë, mbasi bien në kundërshtim me logjikën dhe praktikat e deritanishme të globalizmit dhe tregtisë së lirë.
Eksperti gjerman i ekonomisë, Volke Wieland thotë se “balancimi absolut i eksport-importit amerikan me çdo vend të botës është pa kuptim, sepse kështu SHBA-të nuk përfitojnë dot nga ndarja e punës”. Po ashtu, tarifat nuk do të nxitin prodhimin vendas, sepse industria e dobësuar amerikane do të tkurret më tej, si pasojë e tyre dhe deficiteve të tjera. Me këto tarifa, as investitorët e huaj nuk do të shkojnë në masë, për shkak të paqartësive dhe paparashikueshmërive ligjore.
Ndërsa ekspertja tjetër e ekonomisë, Samira Sulan thotë se ” Nuk është as gabim dhe as problem që SHBA i ka importet më të mëdha se eksportet e saj; kjo tregon se ajo ka aftësi paguese, vlera dhe investime kapitale të mjaftueshme”.
Ja pse tarifat amerikane të 2 Prillit shtangën dhe tronditën dhe vetë mbështetësit e Trumpit, adhuruesit e tij, kongresmenë, senatorë, dhe ekspertë të shquar të së drejtës tregtare, të cilët i etiketuan ato si ”bomba bërthamore ” për tregtinë e lirë dhe për vetë SHBA-të, ose “ fundi i globalizmit” sipas Prof. Veronika Grimn.
Këtë e thanë fort dhe miliarderë mbështetës të Trumpit, duke filluar nga Elon Musk, i cili brenda një javë humbi 43 miliard Dollarë! Madje ai shkoi më tej, duke kërkuar një zonë të lirë tregtare me BE-në me zero tarifa! Edhe Ish Kryeekonomisti i FMN-së, Profesori i shquar i Harvardit, Kenneth Rogoff e tha troç se “ ky është eksperimenti më i keq ekonomik pas Luftës së II Botërore”. Ndërsa miliarderi tjetër, Bill Ackman, Kryemenaxheri i Fondeve të Investimeve amerikane dhe mbështetës i tij e ka qortuar ashpër Trumpin se “me këto tarifa SHBA-të shkojnë drejt një “lufte atomike” dhe se ky është gabimi më i madh i një aritmetike të keqe politike”.
Nuk po flasim pastaj për aktorët kryesorë në tregjet botërore, si BE-ja, Kina etj të cilat krahas propozimeve të tyre për një tregti të lirë pa proteksionizëm kanë paralajmëruar se nëse nuk do të ketë rezultate me bisedime dy dhe shumëpalëshe, siç ndodhi si me propozimin e BE-së për “zero tarifa per mallrat industriale” atëhere BE-ja do të ndërtojë “një paradigmë të re të tregtisë botërore”, siç ka sugjeruar këto ditë zoti Sefkovic, Komisioneri i BE-së për tregtinë; duke përfshirë dhe masa e tarifa ndëshkuese, me një katalog tejet të gjerë dhe të frikshëm për SHBA-të, të cilat rrezikohet të “ dalin me këpucë të kuqe” nga e ashtuquajtura WW FEE ( Lufta Tarifore Botërore) siç përdoret ky term për analogji me Lufta e Tretë Botërore.
Në fakt, trysnia e paparë nga aktorët madhorë politikë, ekonomikë, nga opinioni i gjerë publik dhe “ tërmeti” që shkaktuan tarifat në fjalë në tregjet dhe bursat kryesore botërore e stepën dhe e trembën Trumpin, i cili më 9 prill, sërish krejt papritur pezulloi tarifat në fjalë për një periudhë 90 ditore, me përjashtim të Kinës, çka u mirëprit nga të gjithë kudo në botë. Madje kanë filluar dhe priten tërheqje të tjera amerikane, sidomos për tarifat mbi automjetet, mallrat elektronike, etj.
E keqja e madhe këtu është se SHBA-të po injorojnë Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) e krijuar në vitin 1947 me nismën dhe mbështetjen amerikane si “Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tregtinë dhe Tarifat (GATT) dhe në vitin 1995 u emërtua si OBT. Me seli në Gjenevë, OBT-ja ka 166 vende anëtare përfshirë dhe vendin tonë nga viti 2000. OBT-ja është përgjegjëse pikërisht për menaxhimin e tregtisë botërore, zgjidhjen e mosmarrëeshjeve dhe shmangien e masave proteksioniste, siç po ndodh tani me SHBA-të. Jo vetëm aq, por SHBA-të kanë bllokuar dhe emërimin e gjyqtarëve të rinj të OBT-së. Në fakt, Presidenti Trump në përgjithësi është kundër këtyre organizatave dhe në proces të largimit prej tyre, në përpjekjet e tij për të çmontuar rendin e sotëm ndërkombëtar, që ashtu siç e kemi përmendur dhe më parë, ato vetë e krijuan dhe çimentuan qysh në vitin 1945.
Momenti i dytë kryesor që dua të nënvizoj është se këto akte dhe lëvizje të habitshme kryhen nga SHBA-të, të cilat kanë qenë kampione e tregtisë së lirë. Mirëpo, kushdo që ka punuar në tregtinë e jashtme gjatë sistemit të kaluar, si dhe autori i këtyre radhëve për 15 vite rresht, pyesim vehten të çuditur se si ka mundësi që ky nacionalizëm tarifor trampian dhe i paraardhësve të tij ngjan “ si dy pika uji” me tri praktikat e mëposhtëme tregtare të monizmit, pra të veprojë si ne dikur?!!
Deri në vitin 1990 parrulla kryesore e tregtisë sonë të jashtme 1990 ishte ”Pa eksport nuk ka import” Këtë slogan e gjeje të shkruar më gërma të mëdha kudo, në çdo qendër prodhimi, në porte, miniera, fabrika dhe ndërmarrje/kooperativa bujqësore. Ishte e bukur në tingëllim, me rimë dhe si muzikë, por ajo krijoi aq shumë probleme dhe vështirësi në praktikë. Ky slogan i shenjtëruar pa të drejtë u mendua si një rrugëdalje nga vetërrethimi absurd. Thelbi i tij ishte se Shqipëria nuk mund të blinte, pra të importonte nga jashtë më shumë se sa të shiste, ose të eksportonte, siç kërkon Trumpi tani, balancë absolute me çdo vend. Këto nevoja dhe kërkesa, të cilat vinin dhe rriteshin, si për mallra konsumi, veshje, ushqimore dhe industrinë e rëndë, në vitet 80 vlerësoheshin të paktën deri në 1 Miliard Dollarë. Në një kohë kur të ardhurat e eksportit tonë sikur ”namin” të bënim nuk e kalonin shumën 300 Million Dollarë. Atëhere si do t’i bëhej hallit? Zgjidhja ishte e gatshme dhe e detyruar dhe u bë refren “shkurtime me gërshërën” e importit! Sepse ndryshe nga SHBA-të dhe vendet e tjera, te ne kreditë, huatë dhe borxhet e huaja që mund ta zgjidhnin situatën atëhere ishin ndaluar me Kushtetutë!
Një temë tjetër delikate, e cila lakohej shpesh në shumë mbledhje dhe takime dhe me “të mëdhenjtë” e asaj kohe ishte “pagesa me inkaso”, të cilën fillimisht nuk e njihja dhe as e kuptoja përse ajo “ mallkohej “si kapitaliste dhe si “kredi skllavëruese”. Shumë shpejt mësova se “inkaso” ishte formë e zakonshme pagese.
Ideja është që shitësi e dërgon mallin, por pagesa për të sipas kushteve dhe termave tregtare bëhet pas mbërritjes së mallit në destinacion pa asnjë firo dhe dëmtim. Ndërsa pritësi i mallit, pasi bën verifikimin e sasisë dhe cilësisë, mbledh dokumentet dhe ia dërgon bankës së vet e cila bën pagesën përkatëse. Kjo procedurë thjesht teknike dhe pagesore zgjaste nga 1 – 4 javë.
Formë fare normale pagesore kur bëhet fjalë për partnerë të besueshëm, që kanë marrëdhënie tregtare për një kohë të gjatë si në rastin tone atëhere, sië konsideroheshin në ato vite Banka jonë e Shtetit dhe 6 ndërmarrjet tona të tregtisë së jashtme lidhur me korrektësinë në kryerjen e pagesave. Këtë formë pagesore e përdornim sidomos me Greqinë, kur i kërkonim të na dërgonin urgjent, bie fjala, elektroda saldimi për Kombinatin Metalurgjik por dhe mallra të tjera me urgjencë, me zotimin bankar se pagesa do të kryhej sapo të vinte malli në destinacion. Mirëpo, sërish syu vigjilent i Partisë e zbuloi këtë “ kredi” që ne merrnim nga kapitalistët grekë, demek “duke shkelur me të dy këmbët Kushtetutën e vitit 1976”. Megjithë argumentet e ekspertëve të asaj kohe, të cilët kishin kaluar vërtet “ në vrimën e gjilpërës” dhe të Partisë, pra kishin dhe besueshmëri politike, se ajo ishte thjesht një teknikë e thjeshtë pagesore dhe pa asnjë lidhje me parimet tona të socializmit, urdhëri ishte i prerë “ Mos bëni shaka me inkaso, se do të futeni në burg po e praktikuat!” Kështu, specialistët tanë ndodheshin mes dy zjarresh, mbasi dhe po qe se një mall urgjent nuk vinte në kohën e duhur, fati ynë prapë nuk do të ishte më i mirë!
Termi/koncepti tjetër dhe më delikat që fillimisht nuk e kuptoja por që kur ma shpjeguan kolegët u habita pse ai konsiderohej krim nga rregjimi ishte “ saldo aktive dhe pasive”. Nuk kishte mbledhje ku të mos përmendej ky term kur vinte fjala për tregtinë me vendet lindore të cilën e zhvillonim mbi bazën e rubël kleringut, pra jo me dolarë ose valuta të tjera si me vendet perendimore. Ky shqetësim trajtohej edhe në mbledhje të Byrosë Politike dhe në fjalimet e Enver Hoxhës. Në fakt, kurfarë krimi dhe mëkati nuk kishte në të. Sipas marrëveshjeve në “rubël kliring“ që kishim për çdo vit me vendet lindore ose revizioniste, siç i quanim atëhere, të zbërthyer në afate tremujore dhe mujore, ne eksportonim dhe importonim nga vendet lindore mallra të ndryshme. Vlera e tyre rregjistrohej në bilancet dhe evidencat përkatëse. Psh, gjatë një muaji ose tremujori, një vend i caktuar na dërgonte x tonë kimikate dhe ne i jepnim x ton krom. Mirëpo brenda kësaj periudhe ishte e pamundur të përputhej vlera e tyre monetare, për shkak të çmimeve dhe sasive të ndryshme të mallit përkatës; për pasojë, në një tremujor të caktuar, rezultonte se kishim shitur ose kishim blerë më shumë ose më pak nga një vend i caktuar; mirëpo, sipas ligjit dhe rregullit, në fund të vitit, bilanci vjetor i eksport-import duhej të ishte i barabartë, pa patur kurfarë saldoje, pra asnjë diferencë në vlerën e eksport – importit, aktive ose pasive qoftë ajo. Ndryshe, kjo konsiderohej si kredi që u kishim dhënë (saldo aktive ) ose u kishim marrë partnerëve ( saldo pasive ) Kjo përbënte një pengesë tjetër në marrëdhëniet tregtare me vendet e lindjes, krahas aspektit tjetër ideologjik.
Si përfundim theksojmë se në kohën e monizmit gjithçka e drejtonte dhe e financonte shteti autarkik. Ndërsa në rastin e SHBA-ve, veç shtetit ishte dhe është dhe sektori privat, janë firmat dhe kompanitë e mëdha, madje transatlantike, të cilat, sipas rastit, përfitojnë ose paguajnë për gjithçka ku punët nuk ecin mirë. Ose nëse humbasin në një vend, mall, monedhë ose moment të caktuar, ato fitojnë në vende, mallra, monedha dhe në momente të tjera më të favorshme dhe kështu balancohet gjithçka, edhe pse jo në mënyrë absolute. Gjithashtu, ne atëhere nuk e njihnim dhe për pasojë nuk ishim anëtarë në GATT, paraardhësja e Organizatës Botërore të Tregtisë ( OBT) siç kanë qenë dhe ende janë, ndonëse “ me një këmbë, SHBA-të!
Kështu, tarifat me të fundit amerikane janë, siç dhe po vlerësohen ngado absurde, të dëmshme dhe të mbarsura me shumë rreziqe; jo vetëm për ekonominë dhe tregtinë, por dhe për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në botë, duke përfshirë dhe vetë SHBA-të. Ndaj shpresohet ende që kur të vijë momenti, ato të hiqen, të rishikohen dhe të zëvendësohen me mesa dhe instrumena të tjera më të dobishme ekonomike dhe tregtare.
(BalkanWeb)