*Studentët e “privatëve” përleshen me policinë për të futur shtretër e dyshekë në grevë.
*Ministrja Nikolla i viziton, bisedon me ta ulur mbi dyshekët e grevës.
*Deputeti i PD, Luçiano Boçi, mbështet protestuesit me një mesazh në Fb.

TIRANË- Protesta e disa studentëve të transferuar në Universitetin Publik nga ato privatë, në Fakultetin e Infermierisë, ka shënuar disa momente tensioni mbrëmjen e sotme.

Protestuesit kanë tentuar të fusin në ambientet e brendshme shtretër për të vijuar grevën, por nuk janë lejuar nga efektivët e policisë. Megjithatë, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka shkuar të bisedojë me ta dhe u ka bërë të ditur se janë të transferuar, u është dhënë një mundësi e dytë, kanë nënshkruar një kontratë e mbi të gjitha, siç u shpreh ajo, “nuk jeni pjesë e procesit meritë-preferencë.”

Studentët kanë kaluar gati në përleshje me efektivët që ndodheshin jashtë godinës, pasi ata nuk i lejuan të fusnin brenda dyshekët dhe shtretërit portativë. Studentët kërkuan që policia t’i lejojë për t’i futur, pasi sipas tyre, janë mjete minimale për të vijuar grevën. Pas kundërshtimit, ata akuzuan policinë se i dhunoi duke i shtyrë.

Ndërkohë, gazetarja Marsela Karapanço, raportoi nga vendngjarja se një student u transportua në spital për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore e më pas, protestës i janë bashkuar edhe 6 studentë të tjerë.

Disa prej të rinjve që merrnin pjesë në grevë kërkuan ndihmën e Avokatit të Popullit, por i bënë thirrje edhe Kryeministrit Rama, Presidentit Nishani dhe përfaqësuesve të tjerë të shtetit që ta zgjidhin këtë çështje.

Para godinës së Fakultetit të Infermierisë pati një prani të madhe policësh, që duket se do të vazhdojnë të qendrojnë deri në përfundim të protestës.

Protestuesit janë studentë të ish-universiteteve private të mbyllura, që u transferuan në Universitetin Publik me tarifa më të ulëta se ato të institucioneve prej nga vinin dhe më të larta se të studentëve të “shtetit”. Ata kanë pranuar dhe firmosur një kontratë në fillim të vitit akademik, pasi nuk iu nështruan rregullave të njejta me studentët e tjerë për t’u regjistruar e megjithatë, kërkojnë barazimin e tarifave të shkollimit me studentët e “publikut”.

nikolla me studentet

NIKOLLA: NUK JENI PJESE E PROCESIT MERITE-PREFERENCE

Ora 21:30 Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka shkuar të bisedojë me studentët në grevë. Mësohet se ajo u ka kujtuar atyre, kontratën që kanë nënshkruar me Universitetin Publik. “Kur e nënshkruat, duhet të kishit parë parë edhe kushtet, edhe tarifat. Ju po paguani shumë më pak nga atje ku ishit.”- tha ajo. Nga ana tjetër, u ka bërë të qartë se “ju nuk jeni pjesë e procesit meritë-preferencë. Ju u mashtruat nga universitetet piramidë, ku ishit më parë. Diskriminimi iu bëhet studentëve të meritës. Ju bëmë baraz me studentët që ishin në shtet dhe ju kërkoni të ndryshoni rregullat në mes të rrugës.”

TOTOZANI: JEMI NË DISPOZICION TË STUDENTËVE

Ora 23:20 Ministrja Nikolla dhe Avokati i Popullit folën pas takimit me studentët. Nikolla u shpreh se Avokati i Popullit është garant për vendimin e studentëve. Ndërsa pas takimit me studentët foli edhe vetë Avokati i Popullit, Igli Totozani. ‘Ne jemi në dispozicion të studentëve për trajtimin e problemit. Studentët thanë që do mendohen për të marrë një vendim, ne jemi të gatshëm të mirëpresim dorëzimin e kërkesës nga studentët’- tha Totozani.

(m.k/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb