NGA ERJOLA JATA*
TIRANË- Debatet mes opozitës dhe mazhorancës nuk kanë munguar edhe këtë të martë në komisionin e ekonomisë teksa diskutohej strategjia e qeverisë për taksimin e rrugëve, që kërkon miratimin e një granti prej 149 117 eurosh që BERZH ka dhënë për hartimin e studimit. Sipas opozitës tarifimi i rrugëve duket si një etje e qeverisë për të shtuar taksat por sipas kryetarit te komisionit socialistit Erion Braçe, ky projekt do të krijojë mundësinë që qytetarët të paguajnë për rrugët që të mirëmbahen.

“Hasim një këmbëngulje dhe etje shumë të madhe për vendosje taksash të reja
dhe kjo taksë vjen në një moment kur qytetarët vazhdojnë në mjerim por qeveria ështe e vendosur”, tha deputeti Ridvan Bode.

Ndërsa Braçe tha se ky projekt do të analizojë situatën e rrugëve dhe më pas do të shihet mundësia e tarifimit të disa akseve.

“Ky është realizimi i një projekti që do të analizojë situatën e rrugëve dhe mundësinë e tarifimit në disa akse rrugore. Qytetarët nuk do të paguajnë tarifë në rrugët me gropa që nga bulevardi dhe gjithë këtë qytet. Po paguajmë projekte që i keni tenderuar ju pa pasur para”, tha Braçe.

Nga ana tjetër Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto sqaroi se do të tarifohen ato rrugë që kane trafik të mjaftueshëm.

“Studimi i rëndësisë për të përcaktuar rrugët që do taksohen. Paratë do të pëdoren pë mirëmbajtjen e rrugëve, nuk mund të them se cilat rrugë do të tarifohen pa përfunduar studimi, por tarifimi do të behet tek ato rrugë ku ka trafik të mjaftueshëm”, tha ministri Haxhinasto.

Fondet që do të vilen nga dhënia e rrugëve me koncesion do të shkojnë për mirëmbajtjen e tyre. Aktualisht kosto e mirëmbajtjes së rrugëve është e lartë dhe i kalon 40 milionë dollarët në vit, ndërsa vetëm 20 për qind e kësaj shume shkon vetëm për mirëmbajtjen e rrugës së Kombit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb