Nga: ZONJA KATERINA

Për brumin:

300 gr miell, 100 gr sheqer pluhur, 150-200 gr gjalpë, 1 kokërr vezë

Për kremin:

500 ml qumësht, 100 gr sheqer, 2 kokrra vezë, 60 gr miell, 30 gr gjalpë, 1 bustinë vanilje, 300-400 gr fruta të ndryshme

Në një enë hedhim miellin e situr, sheqerin, vezën dhe gjalpin e ftohtë të prerë në kubikë. E përziejmë mirë me dorë sa të lidhen masat. E mbështjellim brumin e e përgatitur me letër celefon dhe e lemë për 10-15 minuta në frigorifer të pushojë e të forcohet.

Ndërkohë përgatisim kremin duke vendosur fillimisht qumështin të ngrohet. Në një enë tjetër përziejmë vezën me sheqerin dhe miellin e trazuar me vaniljen. Marrim pak nga qumështi i vakët dhe e përziejmë masën e përgatitur të cilën e shtojmë tek qumështi sapo ai të nxehet plotësisht. E trazojmë mirë dhe e lemë deri sa të marrë valë dhe të bëhet një masë kremoze. Në fund shtojmë gjalpin e përziejmë derisa gjalpi të tretet dhe e vendosim në një enë mbuluar me letër kuzhine që të ftohet.

Nxjerrim brumin e tartës nga frigoriferi dhe e hapim me një rulë. Vendosim mbi brumë formën e tartës dhe e presim. Ose mund ta vendosim brumin në një tavë rrumbullake ta hapim mirë me duar në anësore dhe më pas ta shpojmë vende vende me pirun. Vendosim sipër tartës një letër kuzhine ku hedhim kokrra orizi në mënyrë që tarta të mos na fryhet. E vendosim në furrë të parangrohur në temperaturë 170-180 gradë Celsius për 10 minuta. Pasi tarta të jetë pjekur e lemë të ftohet plotësisht, vendosim shtresën me krem dhe më pas e dekorojmë me fruta të ndryshme sipas dëshirës. Pasi ta kemi përfunduar e vendosim në frigorifer dhe e shijojmë të freskët.

(er.cu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: