Nga: ZONJA VJOLLCA*
Tartë vegjetariane me perime

300 gr miell
3 kokrra vezë
150 gr gjalpë Vitam
2 kunguj të njomë
200 gr domate qershi
150 gr brokoli
200 gr krem kosi
2 lugë gjelle salcë kosi
100 gr djathë dhie
Kripë
Piper i zi
Arrë moskat

Vendosim miellin në një enë e trazojmë me pak kripë dhe bëjmë një hapësirë në qendër, shtojmë një vezë në të dhe shpërndajmë gjalpin në copëza. E trazojmë miellin me vezën dhe gjalpin duke shtuar dhe 50 ml ujë për të lidhur brumin. Formojmë një brumë të butë të cilin e mbështjellim me celefon dhe e vendosim në frigorifer për 30 minuta. Ndërkohë përgatisim perimet: kungullin e njomë e presim në feta, domatet qershi i ndajmë në gjysëm ndërsa brokolin e ndajmë në lule dhe e vendosim në ujë me kripë të vluar për 2 minuta. Më pas e largojmë brokolin dhe e vendosim në ujë të ftohtë dhe e lemë të kullojë mirë. Në një tas përgatisim kremin duke përzier 2 vezë me krem kosi, salcë kosi, kripë, piper të zi dhe arrë moskat.
Lyejmë me pak gjalpë tavën ku do të pjekim tartën. Hapim brumin në trashësi 2mm dhe me sipërfaqe më të madhe se tava (2 cm më shumë se buzët e tavës). Pasi ta kemi hapur mirë petën e brumit e shpojmë disa herë me pirun me qëllim që të piqet mirë dhe të mos fryhet. Mbi petë vendosim kremin që përgatitëm, më pas vendosim fetat e kungullit. Mbi kungull thërrmojmë pak djathë, vendosim domatet qershi dhe brokolin. E spërkasim me pak kripë dhe piper dhe kthejmë anët e petës si të byrekut dhe e vendosim tartën në furrë në temperaturën 180 gradë Celsius për 25-30 minuta.
(er.nu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: