Në këto ditë të shtatorit, ka një mori vizitash personalitetesh në Tiranë (apo vizita e kryeministrit tonë dy ditë më parë në Gjermani). Edhe pse qytetarët tanë rreken të kuptojnë përmes rrjeshtave të deklaratave të të takuarve, apo raportimeve te mediave, se çfarë realisht do të ndodhë më 18 tetor 2019 në mbledhjen e kryetarëve të 28 shteteve të Bashkimit Evropian, nuk po arrijnë gjë. Ende askush nuk ka folur shkoqur se çfarë parashikohet në samitin(mbledhjen e nivelit më të lartë) e tetorit të Këshillit të Europës.

Mungesa e një mesazhi të qartë se cili do të jetë lloji i vendimmarrjes më 18 tetor në mbledhjen e Këshillit të Evropës, për të vendosur a do t’i jepet vendit tonë dhe Maqedonisë së Veriut hapja e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në, i bën realisht shumë dëm rajonit tonë. Këshilli i Evropës është një institucion këshillimi(si nga vetë emri) i Bashkimit Evropian, i përbërë nga të 28 kryetarët e shteteve anëtare, nga presidenti i vet dhe nga Presidenti i Komisionit Evropian(kryeministri i Evropës së Bashkuar). Ky organ përcakton politikat e BE-së. Presidenti në dalje i këtij Këshilli(shumë shpejt do të zëvendësohet nga Kryeministri i Belgjikës Sharl Mishel), Donald Tusk, ish-Kryeministër i Polonisë në vitet 2007-2014, edhe pse është një përkrahës i zjarrtë i zgjerimit të BE-së, nuk ka asnjë autorizim nga anëtarët e Këshillit për të folur për rezultatin e pritshëm të takimit një muaj më vonë. Do të ishte ndryshe nëse do të shprehej Sharl Mishel, i cili merr detyrën pak më vonë në krye të Këshillit të Europës.

Prandaj, duke mos u shprehur ai, detyra(në anglisht “task”) i Presidentit në ikje të Këshillit të Evropës Donald Tusk është, me sa duket, të qetësojë vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Të cilat janë në pritje të ethshme për vendimin e 18 tetorit. T’i qetësojë, duke i siguruar ato, me anë të vizitave në vend, për perspektivën e qartë të anëtarësimit gradual të tyre në BE. Mirëpo, pikërisht në përpjekjen për ta bërë të qartë këtë perspektivë, duke mos dhënë arësyet (edhe pse ato dihen dhe janë të brendshme të BE-së) se pse më 18 tetor mund të shtyhet sërisht hapja e negociatave, Këshilli i Evropës ndoshta gabon. Vendet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë nevojë për xheste diplomatike si vizitat e vullnetit të mirë të nivelit të lartë(në ikje). Nuk kanë më nevojë për rënie shpatullash inkurajimi dhe vlerësime për hapat integrues që kanë bërë deri tani. Apo për deklarata pa bukë(edhe pse të sinqerta) të drejtuesve në dalje të disa strukturave shumë të rëndësishme të BE-së, se i kanë kryer si duhet detyrat e shtëpisë.

Këto vende kanë nevojë t’u thuhet shqeto:”Nuk e merrni hapjen e bisedimeve për anëtarësim për problematikën tonë të brendshme më 18 tetor, por do ta merrni gjashtë muaj më vonë”. Me këtë qartësi dhe garanci nga qartësia, ato mund të vijojnë kryerjen e fortë të reformave të dhimbshme e tejet delikate që kanë marrë përsipër. Përndryshe rezistenca e forcave të brendshme të tyre politike kundër reformave do të rritet vërtik. Këtë sigurisht që Bashkimi Evropian dhe strukturat e tij nuk e duan. Mirëpo janë vënë përpara një zgjedhjeje të vështirë: t’u hapin bisedimet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke përballuar kosto të forta të avancimit të forcave politike përçarëse të Evropës së Bashkuar në vendet anëtare të BE-së, pikërisht për shkak të këtij vendimi. Apo ta shtyjnë vendimin më vonë, të forcojnë pozicionin e njerëzve të rinj në krye të BE-së, tërisht pro-Evropës së Bashkuar, duke shpresuar se mbështetja ndaj populistëve që duan shpërbërjen e Bashkimit Evropian, do të bjerë me kalimin e kohës. Në zgjidhjen e kësaj dileme do të varet fati i vendimit të 18 tetorit të Këshillit të Europës. Deri atëhere, ecejaket e tipit “Presidenti Tusk në Tiranë dhe Shkup” për t’u dhënë zemër qeverive përkatëse bëjnë pak punë. Më shumë vëmendje ka tërhequr një detaj(në dukje) protokollar, takimi i Tusk në Shkup me Presidentin e Maqedonisë së Veriut Pendarovski dhe mostakimi i tij në Tiranë me kryetarin tonë të shtetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb