NGA ORNELA MANJANI*

TIRANË- Mosrealizimi i të ardhurave nga tatimet për vitin 2015 arriti në 10.4 miliardë lekë. I klasifikuar sipas zërave mosrealizimi në tatime është: Të ardhurat nga tatimi mbi vlerën janë realizuar në masën 3,5 miliardë lekë më pak se parashikimi, të ardhurat nga akciza 4,3 miliardë lekë më pak, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin rreth 806 milionë lekë më pak, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale rreth 1,7 miliardë lekë më pak dhe të ardhurat nga taksa nacionale rreth 400 milionë lekë më pak. Të dhënat janë pasqyruar në programin ekonomik të reformave për dy vitet e ardhshme ku jo vetëm është pranuar performaca e dobët në mbledhjen e të dhënave, por është bërë edhe një analizë në lidhje me mosrealizimet.

Në vitin 2015, pavarësisht performancës së dobët të të ardhurave, qeveria është e angazhuar për të arritur objektivin fiskal të deficitit prej 4 për qind të PBB-së. “Mungesa te të ardhurat reflektuan disa çështje të parashikimit në buxhetin e vitit 2015; faktorët makroekonomikë si rritja e PBB-së më e ulët pritshmëria, normat e interesit dhe çmimet të naftës; si dhe reagimi ndaj rritjes së taksave që hyri në fuqi në janar të vitit 2015. Ne kemi përballuar deficitin e financimit, duke përdorur kursimet nga mbiperformanca jonë në reformën e sektorit të energjisë elektrike, kursimet në kostot e personelit, shpenzimet e sigurimeve shoqërore, si dhe faturën e interesit.

Ne jemi të angazhuar për ndërmarrjen e rregullimeve të mëtejshme fiskale në vitin 2016 e në vazhdim. Ne do të synojmë një suficit primar prej 0.6 për qind të PBB-së në vitin 2016, një përmirësim prej 1.8 për qind të deficitit primar të vitit 2015 (ose përmirësim 1.1 për qind në qoftë se do të përjashtonim shlyerjen e pagesave të prapambetura nga bilanci primar).

Masat
Masat që parashikon të marrë qeveria për rritjen e të ardhurave janë: Zgjerimi i bazës tatimore për tatimin ekzistues mbi pronën dhe për kontributet sociale nga ana e të vetëpunësuarve; futjen e një tarife regjistrimi dhe një taksë vjetore qarkullimi mbi makina luksoze; dhe për-mirësimin e modelimit të taksave aktuale (për shembull, taksa bazuar në sasi do të zëvendësojë taksat mbi mineralet jometalike dhe qëndrimet në hotel). Në program theksohet se për të përballuar problemet e performancës së dobët të të ardhurave, janë ndërmarrë disa masa reformuese shtesë duke kufizuar garancitë publike dhe politikën e huadhënies neto për sektorin në 7 miliardë lekë në vitin 2016 dhe 6.5 miliardë lekë në vitin 2017, me qëllim eliminimin plotësisht të subvencioneve për sektorin e energjisë deri në vitin 2020.

Projekti
Miratimi i Programit Ekonomik dhe Reformave për periudhën 2016-2018 përbëhet nga dy shtylla kryesore. Shtylla e parë është kuadri makroekonomik që ka pjesën makroekonomike dhe pjesën fiskale. Në pjesën makroekonomike janë prezantuar zhvillimet kryesore makroekonomike të vendit, skenari ekonomik afatmesëm për sektorët e ekonomisë, implikimet e skenarëve të ndryshëm dhe sigurisht risqet. Ndërkohë që politika fiskale për periudhën afatmesme do të orientohet në mënyrë rigoroze drejt konsolidimit fiskal. Ne jemi angazhuar për të vazhduar me konsolidimin fiskal, për të reduktuar dobësitë lidhur me borxhin të cilat pengojnë rritjen dhe shkaktojnë paqëndrueshmëri makroekonomike. Qeveria synon të ndjekë një ritëm të qëndrueshëm të konsolidimit fiskal bazuar në një strategji të shëndoshë të zgjerimit të bazës tatimore dhe forcimit e administratës tatimore dhe përputhshmërinë, me qëllim uljen e borxhit publik në raport me PBB-në nën 64 për qind në vitin 2018, nga rreth 72.6 për qind të pritur në fund të vitit 2015.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: