NGA ORNELA MANJANI*

Ministria e Financave publikon të dhënat fiskale për 5-mujorin dhe bën të ditur se janë mbledhur në total 163.8 miliardë lekë. Plani, sipas Financave, është realizuar në masën 100%. Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT) për 5-mujorin e vitit 2016 u realizuan në vlerën 141.5 miliardë lekë, duke u rritur me 15.8 miliardë lekë krahasuar me 5-mujorin e vitit të kaluar ose 12.6% dhe 2.8 miliardë lekë më shumë se plani ose + 2%. Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 2.3 miliardë lekë, 5% më shumë se 5-mujori i vitit 2015 dhe 2.7% mbi planin e periudhës.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 15.3 miliardë lekë, 10.65% më shumë se një vit më parë dhe 7.1% më shumë se plani, si rezultat i rritjes së sasisë së cigares së importuar me 236 tonë ose +28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015.

“Të ardhurat nga renta minerare janë realizuar në vlerën 902 milionë lekë ose -36.48% krahasuar me 5-mujorin e vitit 2015, duke reflektuar drejtpërdrejt rënien drastike të çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar. Megjithëse sasia e eksportit të naftës bruto u rrit me 72 mijë tonë ose +23.4%, të ardhurat nga renta u ulën me 403 milionë lekë. Në 5-mujorin e vitit 2015 arkëtohej 3.51 lekë/kg, ndërsa në 5-mujorin e vitit 2016 arkëtohet 1.79 lekë/kg”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Sipas të njëjtave burime, të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në vlerën 37.1 miliardë lekë. Kontributi në të ardhura nga ky zë është 5.07% më shumë se 5-mujori i vitit 2015 dhe një realizim i planit në masën 99.4%. Ndërsa të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 14.2 miliardë lekë ose 20% më shumë se 5-mujori i vitit 2015, me një realizim të planit të periudhës në masën 98.1%. Ky rezultat i TVSH-së neto vjen pas zbritjes së rimbursimit të kryer në këtë periudhë me rreth 3 miliardë lekë.

Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike për 5-mujorin e vitit buxhetor 2016 arritën në 145.6 ose 88% e planit. Krahasuar me një muaj më parë, ka një përmirësim të konsiderueshëm të termave të realizimit për treguesit e shpenzimeve në tërësi. Të dhënat paraqesin një kujdes të veçantë për të realizuar shpenzimet kapitale krahasuar me një muaj më parë. Shpenzimet korrente rezultojnë 131.6 miliardë lekë, duke paraqitur një realizim 91% në raport me planin 5-mujor.

Ndër zërat kryesorë që kanë ndikuar në performancën e shpenzimeve korrente krahasuar me zërat e tjerë janë shpenzimet operative për mirëmbajtje, subvencionet, shpenzimet për pushtetin vendor dhe shpenzimet e tjera sociale, përkatësisht me një nivel realizimi prej 80%, 66%, 74% dhe 87% të planit 5-mujor të parashikuar për realizim. Niveli i shpenzimeve publike dhe realizimi i të ardhurave të planifikuara është shoqëruar me një nivel suficit prej 18.2 miliardë lekësh, e për rrjedhojë, një pozitë më të favorshme buxhetore.

Ky 5-mujor është shoqëruar me një kursim të shpenzimeve operative për mirëmbajtje përkatësisht 3 miliardë lekë. Si rrjedhim, impakti i reflektuar në suficitin e krijuar vjen si pasojë e politikës së kujdesshme në shpenzime të parashikuara për t’u ndërmarrë nga qeveria për vitin 2016.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: