Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Tatimet dhe Doganat kanë rritur të ardhurat me 6.5 miliardë lekë në muajin janar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të ardhurat totale të realizuara në muajin janar 2016 janë 32,243 miliardë lekë, nga 25,703 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat janë bërë të ditura në “Raportin për treguesit fiskalë dhe tabelat shoqëruese”, që ka bërë publike dje Ministria e Financave.

Tatimet dhe Doganat
Sipas tabelës fiskale të Ministrisë së Financave, mësohet se të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat për muajin janar 2016 janë 21,137 miliardë lekë, nga 15,669 miliardë lekë të realizuara në janar 2015. Sipas të njëjtave burime mësohet, se të ardhurat tatimore janë realizuar 29,5 miliardë lekë në janar 2016, nga 22,7 miliardë lekë që ishin janarin e vitit të shkuar. Zërat që kanë dhënë kontribut pozitiv në të ardhura janë tatimi mbi fitimin, i cili pësoi rritje, nga 558 milionë lekë në 2015-ën, në 1,47 miliardë lekë në 2016-ën. Ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale, nga 1,9 miliardë lekë në janar 2015, ka arritur në 3,21 miliardë lekë në janar 2016. Ndërkohë që të ardhurat nga akciza, nga 1,77 miliardë që ishin në janar të 2015-ës, arritën në 2,78 miliardë lekë në janar të këtij viti.

TVSH-ja
Ministria e Financave bën të ditur se ndër treguesit pozitivë të muajit të parë të vitit 2016 shënohen edhe të ardhurat nga TVSH-ja, nga taksat nacionale. Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se ka një dyfishim të tyre, nga 1,64 miliardë lekë, në 3,18 miliardë lekë, krahasuar respektivisht me muajin e parë të vitit 2015 dhe 2016. Taksat që kanë pasur ecuri më të mirë janë të ardhurat personale, nga 1.9 mld lekë në janar 2015, në 3.2 mld në janar 2016; tatimi mbi fitimin, me rritje nga 558 milionë lekë në janar të vitit të kaluar, në 1,4 miliardë në 2016 ën; dhe akciza, nga 1,7 miliardë në janar 2015, në 2,7 miliardë lekë në janar 2016.

Shpenzimet
Rritje kanë shënuar edhe shpenzimet buxhetore. Shpenzimet në total për janarin e vitit 2016 janë realizuar në masën 26.3 miliardë lekë, kundrejt 22.9 miliardë lekëve të shpenzuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në zërin “Shpenzime personeli” janë alokuar 5.43 miliardë lekë, kundrejt 5.47 miliardë lekëve të shpenzuara në janar të vitit 2015. Rritje të shpenzimeve në muajin e parë të këtij viti krahasuar me atë të një viti më parë ka shënuar zëri “Shpenzime për interesa”. Në janar të këtij viti kanë shkuar për pagesën e interesave të borxhit 3.3 miliardë lekë, ndërsa në janar të vitit 2015 janë shpenzuar për këtë zë 2.9 miliardë lekë.

Borxhi
Ministria e Financave ka planifikuar të ulë në 71.5% borxhin publik deri në fund të këtij viti. Borxhi për frymë në vitin 2016 është 363.8 mijë lekë për frymë, ndërsa në vitin 2015, 358.9 mijë lekë për frymë. Në planet e Ministrisë së Financave është caktuar që deficiti për frymë të ulet me 0.7%.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: