TIRANE- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, njoftoi sot gjithë tatimpaguesit (shoqëritë tregtare/personat juridikë), të cilët sipas ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” kanë marrë vendimin e destinimit të fitimit pas tatimit dhe e kanë shpërndarë atë në formë dividenti, se afati i fundit i deklarimit dhe pagesës së tatimit të mbajtur në burim, është data 20 Gusht 2018.

Deklarimi i shumës së dividentit, bëhet përmes deklaratës së tatimit të mbajtur në burim, e cila dorëzohet online në administratën tatimore brenda kësaj date.

Pagesa për tatimin bëhet në bankat e nivelit të dytë, brenda datës 20 Gusht, pavarësisht nëse është kryer apo jo pagesa e dividentëve për subjektet/individët përfitues.

Gjithashtu, ju kujtojmë se në rast mosdeklarimi apo mospagese në afat të tatimit mbi dividentët, do të zbatohen dispozitat përkatëse ligjore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbetet e angazhuar për informimin e tatimpaguesve mbi zbatimin me korrektesë të legjislacionit, si dhe për deklarimet sipas afateve.

Sipas legjislacionit në fuqi duhet të deklarohet dhe mbahet tatimin në burim në masën 15 për qind nga shuma bruto e pagesave të mëposhtme, që lindin nga një burim në Republikën e Shqipërisë, jane:

– dividendët;

– ndarjet e fitimit;

– interesat;

– pagesat për të drejtat e autorit dhe për pronësinë intelektuale;

– pagesat për shërbimet teknike, shërbimet e menaxhimit, shërbimet financiare dhe ato të sigurimit;

– pagesat për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues;

– pagesat për ndërtimin, instalimin, montimin ose për punë mbikëqyrëse që lidhen me to;

– pagesat për qeratë;

– pagesat për shfaqjet e aktorëve, të muzikantëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb