Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar udhëzimin e ri për procedurat e furnizimit dhe faturimit të të gjitha hallkave që nga furnizuesi kryesor deri te njësia e shitjes me pakicë të cigareve.

Furnizimi i cigareve, është një nga veprimtaritë që është rregulluar nëpërmjet funksionimit të një skeme të veçantë e parashikuar në udhëzimin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, ku është parashikuar se, pagesa e TVSH-së bëhet në një fazë të vetme nga furnizuesi kryesor (importuesi).

Të gjithë tatimpaguesit, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte janë të përfshirë në rrjetin e furnizimit të cigareve (furnizuesit kryesorë, distributorët e deri te shitësit me pakicë) se, me udhëzimin e ri ngarkohen të gjitha hallkat e rrjetit të furnizimit të cigareve për të deklaruar inventarin gjendje (stoku) brenda 5(pesë) ditëve punë nga aplikimi i çmimit të ri, me qëllim llogaritjen dhe pagesën e TVSH-së sipas çmimit të ri.

Furnizuesi kryesor (importuesi apo prodhuesi), sipas udhëzimit, llogarit stokun e cigareve gjendje të tatimpaguesit që i nënshtrohen regjimit për bizneset e vogla (njësitë e shitjes me pakicë pa TVSH), bazuar në sasitë e shitura prej tij gjatë 90 ditëve të fundit para aplikimit të çmimit të ri, në bazë të të cilave llogarit shitjet mesatare ditore.
Për rastet kur një markë cigaresh ka më pak se 90 ditë që furnizohet në treg, atëherë për llogaritjen e shitjes mesatare ditore merren ditët faktike nga dita e parë e furnizimit të kësaj marke cigareje.

Furnizuesi kryesor është përgjegjës për TVSH-në shtesë për vlerën e rritur nga rritja e çmimit me pakicë, për stokun gjendje të shitësit me pakicë, tatimpagues të biznesit të vogël, që nuk janë të regjistruar në TVSH, duke u bazuar në furnizimin mesatar ditor shumëzuar me 30%.

Për sasinë e stokut të llogaritur në këtë mënyrë, furnizuesi kryesor lëshon një faturë për vete dhe llogarit, deklaron dhe paguan TVSH-në për vlerën e rritur nga rritja e çmimit me pakicë.

Me paketën e re fiskale, si rezultat i një rritje të taksës së akcizës mbi furnizimin e cigareve, me 7 lekë për paketë, data e aplikimit të çmimit të ri, do të jetë data 1 janar 2018.

Kjo sjell detyrimin e të gjithë furnizuesve të cigareve (të shumicës e pakicës) që të deklarojnë inventarin gjendje të cigareve të datës 31 dhjetor 2017.

Në 8 muaj u zhdoganuan 2,030 ton cigare. Gjatë periudhës janar-gusht 2017 u regjistrua një rritje e zhdoganimit të cigareve.

Doganat kanë raportuar se në janar-gusht janë zhdoganuar 97 ton cigare më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, shkruan ata.

Në 8-mujorin e 2017-ës nga doganat kanë kaluar 2,030 ton cigare, me një mesatare mbi 250 tonë në muaj.
Po sipas të dhënave nga doganat, konsumi i cigareve është pak më i ulët sesa sasia e importuar. Gjatë këtij 8-mujori u konsumuan 2.020 ton cigare.

Rritja e zhdoganimit, sipas ekspertëve të doganave vjen për shkak të ndalimit të rritjes së akcizës për këtë produkt.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: