Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, u ka bërë thirrje tatimpaguesve që të dorëzojnë në kohë deklaratën e pagesës së tatim fitimit për vitin 2017.

Bazuar në analizën e të dhënave, për vitin 2017 rezulton se janë 23,182 tatimpagues të cilët kanë detyrimin për të dorëzuar pranë Administratës Tatimore deklaratën e pagesës së Tatimit mbi Fitimin. Nga këta 21,652 ose rreth 93.4% e totalit e kanë përmbushur tashmë këtë detyrim.

Për 1,528 tatimpagues, të cilët nuk kishin dorëzuar këtë deklaratë, sipas legjislacionit në fuqi nga organet tatimore u bë rivlerësimi automatik për detyrimet që ata duhet të paguajnë për 2017-ën. Nga këta tatimpagues që kishin rivlerësim automatik, 54 dorëzuan deklaratën e tyre për vitin 2017.

“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, u bën thirrje tatimpaguesve, të cilët akoma nuk kanë dorëzuar deklaratën e pagesës së Tatim Fitimit për vitin 2017, të marrin të gjitha masat për ta përmbushur këtë detyrim. Nëse kjo deklaratë nuk dorëzohet, nga ana e Administratës Tatimore këta tatimpagues do të konsiderohen me risk dhe do t’i nënshtrohen kontrolleve e investigimeve të vazhdueshme deri në dorëzimin përfundimtar të saj.

Për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ndërgjegjësimi i tatimpaguesve për të përmbushur me korrektësi detyrimet tatimore mbetet prioritet” thuhet në njoftim./Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb