ELBASAN

Kryetari i grupit Parlmamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i është përgjigjur sot interesit të mediave nga Elbasani në lidhje me votimin e Parlamentit Gjerman pro nisjes së bisedimeve të Shqipërisë me Bashkimin Europian si dhe ecurisë së mëtejshme të këtij procesi.

Deklarata e plotë për media e Taulant Ballës:

Vendimi i Gjermanisë për të votuar pro hapjes së negociatave për Shqipërinë, është një moment i rëndësishëm historik, teksa duket tashmë që në mes të Tetorit merr formën përfundimtare, pasi Këshilli i përgjithshëm i çështjeve në kuadër të Komisionit Europian më pas vetë këshilli në datë 17-18 do t’i japi formën përfundimtare këtij vendimi të rëndësishëm të Bundestagut.

Që të gjithë duhet ta dinë që kjo është një rrugë e gjatë që ka marrë kohë, por që vjen edhe për shkak të asaj që gjithçka ka arritur Shqipëria deri më tani. Kujtoj që ishte Komisioni Europian i cili në fund të Majit të këtij viti rekomandoi fillimin e bisedimeve pa kushte për Shqipërinë.

Reforma në Drejtësi ishte guri i themelit të suksesit që Shqipëria po merr në rrugën europiane dhe nëse ju i quani kushte unë nuk i quaj të tilla. Për mua janë dertyra të shtëpisë të cilat janë në vijim.

Plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatën e Lartë janë detyrat e shtëpisë të cilat janë duke u kryer. Kujtoj këtu që Kuvendi do të përmbushë 3 vendet e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, po kështu edhe Presidenti i Republikës.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka bërë një punë të shkëlqyer në kohë, ndërsa Këshilli i Lartë i Gjyqësorit është në proces të përfundimit të vlerësimit të kandidaturave që lidhen me vendet e para vakante në Gjykatën e Lartë.

Të gjithë e dimë që Gjermania, pikë së pari, qeveria federale përmes përfaqësuesve të saj e ka ndjekur procesin e implementimit të Reformës në Drejtësi në mënyrë shumë rigoroze, e unë gjej rastin ta falenderoj publikisht kancelaren Anxhela Merkel, pa angazhimin e së cilës dhe të qeverisë së SHBA, Reforma në Drejtësi nuk do të ishte këtu ku është sot dhe të gjithë e dimë çfarë pengesash ka pasur reforma në Drejtësi në Shqipëri dhe kush kanë qenë penguesit.
Por nuk është koha të merremi me ta, rëndësi ka që reforma në Drejtësi në Shqipëri është në një moment të rëndësishëm dhe nuk ka kthim mbrapa.

Kjo është një arritje e madhe për të gjithë shqiptarët, edhe ata që nuk kanë dashur, nuk kanë pse të mos gëzohen, duhet të gëzohen të gjithë shqiptarët.

Ata që u përbetuan se Gjermania do të votojë kundër hapjes së negociatave, sot të hapin sytë dhe veshët dhe ta shohin këtë si një moment të rëndësishëm për të çuar përpara të gjithë së bashku angazhimet që kemi.
Në një vend demokratik, të gjithë kanë përgjegjësitë e tyre. Kemi ne përgjegjësi, që sot jemi në qeveri, por kanë përgjegjësi edhe ata që në mënyrë të pashpjegueshme, jo vetëm që ikën nga Parlamenti, por që i vunë edhe flakën Kuvendit, por sot jemi në një ditë të gëzueshme.

Unë jam shpresëplotë që të 28 vendet anëtare do t’i japin dritë jeshile fillimit të procesit të bisedimeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb