Taulant Malshi është emëruar në krye të prefekturës së Qarkut Lezhë, pas dorëheqjes nga ky post të Gjergj Prendit.
Prezantimi i prefekti të ri u bë sot nga zëvendësministri i Brendshëm, Andi Mahila në prani të drejtuesve të institucioneve vendore në rang qarku.
Gjatë prezantimit, Mahila u shpreh se prioritet kryesor i institucionit të prefektit duhet të jetë përgatitja për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
“Në kuadër të përgatitjes për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025, prefekti i qarkut duhet të koordinojë nga afër me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe drejtoritë e policisë për të siguruar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, të organizuar me ligjet e parashikuara nga Kodi Zgjedhor”, tha Mahila.
Nga ana e tij, prefekti i ri i qarkut Lezhë Taulant Malshi shprehu angazhimin maksimal për të përmbushur prioritetet e qeverisë në shërbim të komunitetit.
“Kjo detyrë është një mundësi për të dhënë kontributin tim si prefekt. Këtë përgjegjësi e pranoj me dëshirë të plotë. Do shërbej me korrektësi dhe transparencë. Jam besimplotë se me bashkëpunimin tuaj do t’i përballojmë sfidat që na dalin përpara”, tha Malshi.
Taulant Malshi merr drejtimin e prefekturës pas një karriere disavjeçare si Drejtor i Sigurimeve Shoqërore në Lezhë, ndërsa edhe më parë ka punuar në administratën publike.