Nga: ZONJA VJOLLCA
800 gr mish pule
3 kokrra qepë
2-3 speca
½ spec djegës
700 gr domate të pjekura
1 lk sheqer
100 – 150 gr oriz
4 lgj vaj ulliri
Kripë, piper i zi

Fillimisht marinojmë mishin e pulës me kripë dhe piper të zi. Qërojmë qepët dhe i presim ato në feta si për sallatë. Specat i pastrojmë nga farat dhe fijet e brendshme dhe më pas i presim në shirita. Domatet i vendosim në ujë të vluar për 30 sekonda, i qërojmë lëkurën dhe më pas i presim në feta si për sallatë.
Vendosim tiganin në zjarr me vaj ulliri dhe sapo vaji të ngrohet skuqim copat e mishit të pulës nga të dy anët derisa të zverdhen pak. I largojmë më pas nga tigani duke i mbuluar që të qëndrojnë të ngrohta.

Shtojmë përsëri pak vaj në tigan dhe kaurdisim qepën derisa ajo të zbutet por dhe të zverdhet pak. Shtojmë më pas specat dhe i trazojmë së bashku derisa specat të ulin volumin. Shtojmë domatet, pak sheqer, kripë dhe piper të zi dhe sapo ato të fillojnë të ziejnë vendosim mishin e pulës dhe e lemë të ziejë së bashku me përbërësit e tjerë për 7 minuta. Shtojmë orizin në fund dhe e lemë të ziejë vetëm 5 minuta dhe më pas komplet përbërësit i kalojmë në një tavë të cilën e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 25-30 minuta derisa mishi të jetë pjekur dhe orizi të ketë zjerë.

Shënim: Nëse domatet nuk kanë shumë lëng gjatë zierjes mund të shtoni 1 filxhan çaji ujë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb