Nga Zonja Katerina
Përbërësit

1 kg peshk, 1.5 kg qepë të thata, 1 kokë hudhër, 3-4 domate të pjekura mirë, 5-6 lgj vaj ullii, 1 lgj uthull, ½ gotë verë, 1 lugë miell
2-3 gjethe dafine, Kripë, piper të zi, piper të kuq.

Përgatitja

Peshkun e larë e presim në racione, e spërkasim me pak kripë dhe piper, e kalojmë në miell nga të dyja anët.

Në një tigan hedhim 2-3 lugë vaj ulliri dhe kaurdisim qepët të prera në gjysëm rrethi. I spërkasim me kripë dhe i mbulojmë me kapak që të zbuten. Shtojmë më pas dhe hudhrat dhe vazhdojmë kaurdisjen.

Në një tigan tjetër hedhim 2-3 lugë vaj, e lemë të nxehet skuqim lehtë peshkun nga të dyja anët sa të krijojë një kore sipërfaqësore dhe të mbetet i butë brenda.

Ndërkohë tek tigani që kemi kaurdisur qepët shtojmë uthullën dhe domatet e grira në rende ose të prera në kubikë të vegjël.

Tek tigani që kemi skuqur peshkun shtojmë verën, e lemë të marrë valë derisa të avullojë alkooli.

Hedhim qepët e gatuara me domatet në një tavë, vendosim racionet e peshkut duke i spërkatur me vaj ulliri, vendosim dhe gjethet e dafinës dhe në fund fare e spërkasim gatimin me piper të zi dhe piper të kuq. E vendosim tavën në furrë të piqet në temperaturën 200 gradë Celsius për 30-35 minuta.

(News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb