TIRANE

Oltsen Gripshi është nga ato potenciale që nuk i vijnë shpesh familjes së madhe të artit në vendin tonë. Ai e ka mbrojtur formimin e tij artistik në Akademinë e Arteve të Bukura G.B Cignaroli në Verona dhe veprimtarinë e tij artistike e ka zhvilluar jashtë kufijve të Shqipërisë ku dhe është nderuar me një sërë çmimesh të rëndësishme ndërkombëtare. Olsen Gripshi edhe pse nuk është shumë i njohur për publikun shqiptar ka një pjesëmarrje të madhe në ekspozita të ndryshme jashtë shtetit.

Të dhëna dëshmojnë pastër se kërkimet artistike të Gripshit nuk janë thjeshtë të bukura në dukje, por bazohen mbi hulumtime historike dhe antropologjike. Kjo e bën Oltsen Gripshin dhe artin e tij të veçantë dhe të dallueshëm nga artistët e tjerë. Në një bisedë me gazetaren Fjodora Fjora në emisionin “Chic” në News24, piktori dhe kritiku i artit tregon më shumë për veprimtarinë e tij.

Ti ke një punë shumë të rëndësishme dhe domethënëse por kryesisht e ke ndërtuar jashtë shtetit. Ndërsa vitet e fundit ke qenë në Shqipëri por diplomimi, masterët shkencor si dhe përballja me artin vizual kanë ndodhur kryesisht në Itali.
Të qëndruarit në një vend për vite të tëra me radhë ndikon dhe në formimin tënd si person. Italia është pikënisja, është mbërritja e shumë gjërave të bukura që kam realizuar atje. Italia për mua mbetet një vend i dytë një atdhe i dytë në të gjitha drejtimet.

Ti je i angazhuar në Itali përveç se me shkollën edhe me ekspozita, me konkurse shumë të rëndësishme madje ke fituar dhe çmime sidomos në artin figurativ. Madje një qytezë në Itali të ka dhënë dhe termin ‘qytetar nderi’ gjë kjo shumë e madhe për një shqiptar.
Mjafton ta duash atë që ti vërtetë do të bëhesh kur të rritesh. Mjafton të dashurosh punën tënde dhe gjërat vijnë hap pas hapi sigurisht që duhet edhe shumë punë. Pas studimeve universitare kahu i jetës time mori drejt teorisë së artit madje gjatë viteve të studimit kam pasur dhe një dëshirë të madhe dhe ajo ka qenë drejtësia. Kam arritur deri dikur por nuk munda ta përfundoja dhe u riktheva te ajo që më tërheq më shumë, te arti. Pra të gjitha këto kanë bërë që të njihet mundi i shumë viteve punë. Çmimi që kam marr në një qytezë në jugun e Italisë në Puglia si artist i merituar është ai për artin bashkëkohor. Në këtë event ishin mbledhur artist nga e gjithë bota.

Në studimet shkencore mban edhe titullin doktor i shkencave me një studim që ka të bëjë me peizazhin e pikturës shqiptare.
Dëshira ime ishte që pas gjithë atyre viteve jashtë Shqipërisë të studioja në një shkollë shqiptare, në një mjedis shqiptar. Në 2012-ën fitova të drejtën për të studiuar doktoraturë dhe më pas diplomohem. Peizazhi ishte një nga ato temat e palëvruara në historinë e arteve shqiptare. Është një temë e veçantë që është pasuruar vit pas viti. Pas ikjes nga Shqipëria kisha disa mangësi në njohjen e arit shqiptar, por rikthimi nëpërmjet një punimi shkencor më bëri që të thellohesha më të tepër në këtë pjesë dhe peizazhi ishte një ndër to. Është një punë e ndarë në katër boshte: 1. Piktura e rilindjes së Shqipërisë. 2. Piktura e Pavarësisë. 3. Piktura e Realizmit socialist dhe 4. Piktura pas viteve 90’.

Ti je ndër të paktën njerëz që mund të quhesh një kritik arti në Shqipëri. Por pasioni më i madh është piktura që është një prej pikave më të forta sepse çmimet e rëndësishme janë lidhur me të.
Artistët në Shqipëri, sigurisht që jo të gjithë por një pjesë e mirë përjetojnë sidromën e madhështisë. Për këtë kritikën e marrin si një sulm ndaj punimeve por kritika nuk është aspak e tillë ajo mundohet të thellohet në elementë, të cilët e bëjnë punën e një artisti të veçantë pra jo kushdo mund të jetë domosdoshmërisht pjesë e një kritike arti. Këtu lindin elitat artistike. Dikur kemi pasur të tillë në periudhën e realizmit socialist.

Unë ika 17 vjeç nga Shqipëria edhe erdha 30 dhe u përballa këtu me një lloj egërsie. Pra një terren kaq i vogël por ka kaq shumë problematika dhe kritikën e artit e shohin si një sulm personal. Pra ndoshta nga mungesa e shkollës së kritikës së artit në Shqipëri ne do të mbetemi pjesë e këtij oazi të ngushtë të formimit të klaneve por ne duhet të jemi të hapur. Për këtë ne duhet të aderojmë në Bashkimin Evropian dhe jo vetëm me ekonominë dhe në shtet por edhe mendërisht e shpirtërisht.

Ti je një artist aktiv dhe duhet njëkohësisht të bësh edhe kritikun.
Jetoj në një mjedis midis dy botëve, midis artit pamor dhe asaj të studimeve të kritikës. Të dyja palët ngacmojnë dhe pasurojnë njëra tjetrën tek unë. Veprat e mia e kalojnë disi pikturën të figurshmen dhe dalin përtej këtyre kufijve. Ato mbështeten dhe përqendrohem tek zbulimi në tërësi i qenies njerëzore.

Sa i angazhuar je? Sa kohë të zë piktura dhe sa pedagogjia? Ti ke një master shkencor edhe në spektakël.
Jam munduar që karrierën time akademikë ta pasuroj në disa drejtime. Një arist i mirë, një artist origjinal, një që dëshiron të lejë gjurmë, ndoshta jo për të arritur majën e ajsbergut, por për të qenë vetvetja, padyshim që duhet të jetë i lexuar. Ai duhet të njohë mirë historinë e artit sepse vetëm në këtë mënyrë ti arrin të jesh origjinal në punën që ti krijon.

Sa i angazhuar je me pikturën?
Më merr goxha kohë, dita është tepër e zënë. Por sigurisht ato variojnë me oraret e punës dhe padyshim ndahet midis pikturës pra arteve, krijimtarisë artistike, studimeve për të qenë sa më i gatshëm për studentët dhe vajzës sime. Fundjava është e shenjtë për familjen dhe në 24 orë i dedikohem vajzës.

Si e shikon qasjen e studentëve shqiptar kundrejt arit?
Prirja e shoqërisë shqiptare është disi tek jurisprudenca, mjekësia, ekonomia të cilat shihen si degët më fitimprurëse. Por njeriu nuk duhet të jetë i pasur vetëm ekonomikisht por dhe shpirtërisht dhe kjo të bën një qytetar të denjë. Sepse ti kur shkëmben një bisedë të lirë në rrugë nuk flet për matematikën, për mjekësinë, por për artin, për pikturën, për një shfaqje të bukur për kinemanë. Ndaj ende nuk është vëmendje e duhur ndaj studimit të arteve dhe historisë së tyre.

Po të bësh një krahasim me kinematë, muzeumet në botë me ato në vendin tonë kemi një hendek të madh. Ndaj uroj shumë që vëmendja të jetë ndaj kësaj lënde, sepse kritika e artit nuk është kaq pa vlerë por është ABC-ja e një qytetari të denjë për Evropën ku në kemi dëshirë të shkojmë.

(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb