Nga 111 personat e akuzuar për krime lufte për periudhën 1999-2018, vetëm 40 janë dënuar, kurse 26 janë të arratisur, përderisa të tjerët janë ende në proces të gjykimit. Kështu u tha gjatë prezantimit të publikimit “Pasqyrë e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë në periudhën 1999-2018” të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë.

Sipas këtij publikimi, që nga përfundimi i luftës e deri në tetor të këtij viti, janë proceduar 48 lëndë. Prej tyre 25 lëndë ndaj serbëve, 19 ndaj shqiptarëve, 3 lëndë ndaj malazezëve dhe 1 ndaj komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptian (RAE).

“Gjithsej janë të akuzuar 111 persona, 44 serbë, 61 shqiptarë, 5 malazezë dhe 1 RAE. Këta malazezë dhe RAE u përkasin forcave serbe”, tha Amer Alija, bashkëpunëtor në këtë projekt.

Ai rikujtoi se pas përfundimit të luftës, me këto krime për një periudhë të shkurtër kohore janë marrë prokurorët vendor, kurse nga viti 2000, ky proces ka kaluar në kompetencë të misionit të UNMIK-ut. Ndërkaq nga viti 2009, aktakuzat për krimet e luftës kanë kaluar tek misioni i EULEX-it, për t’u rikthyer në kompetencë tek prokurorët vendorë këto vitet e fundit.

Nga të gjitha aktakuzat e ngritura, 34 shqiptarë dhe 4 serbë janë dënuar, tha Alija.
“Në 19 lëndë ndaj shqiptarëve kemi 61 të akuzuar, prej tyre 23 të liruar, 34 shqiptarë të dënuar, 2 janë në arrati dhe 2 janë momentalisht në proces”, tha Alija.

“Tek 25 lëndë ndaj serbëve, kemi 44 të akuzuar, 13 persona të liruar, 4 të dënuar dhe 24 në arrati. Kjo arratisje e madhe ka ndodhur në vitet 2000-2001 nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovica dhe nga Spitalet e Mitrovicës dhe i kemi 3 serbë në proces. Kemi tri lëndë ndaj pjesëtarëve malazias, ku në total janë të akuzuar pesë malazias, 2 janë të liruar, 1 është dënuar dhe 2 janë të arratisur. Ndërsa ndaj të akuzuarit RAE, sot ka qenë shpallja, ku është dënuar me 10 vite burgim në shkallën e parë”, tha Alija.

Ai tha se prokurorët vendorë në total i kanë ngritur 16 aktakuza, prokurorët e UNMIK-ut 10 aktakuza dhe prokurorët e EULEX-it, 22 aktakuza.

Sipas publikimit, të gjithë të dënuarit për krime lufte janë dënuar nga 5 deri në 15 vjet.
Në anën tjetër Anka Kurteshi – Hajdari nga Fondi për të Drejtën Humanitare, vlerëson se autoritetet përgjegjëse kanë mundur të bëjnë më shumë në këtë drejtim, por që sipas saj, mosbashkëpunimi Kosovë – Serbi ka qenë një ndër shkaqet që ka ngadalësuar këtë proces.

“Shumica dërmuese e kryesve të krimeve të luftës janë në Serbi. Kryesitë e veprave nuk i ekstradon as Serbia, por as Kosova”, tha Kurteshi – Hajdari.

Edhe më herët autoritetet në Kosovë kanë pohuar se kanë të dhëna të besueshme se vendstrehimet e personave të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte në Kosovë gjatë kohës së luftës janë kryesisht në Serbi dhe Mal të Zi, por edhe në vendet tjera të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

Gjatë luftës se fundit në Kosovë janë vrarë 13, 518 persona 10.794 shqiptarë 2,197 serbë kurse të tjerët u përkasin etnive të tjera. Prej tyre, 239 kanë qenë fëmijë nga mosha 0 deri në 5 vjeç.

Kurse edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, 1,658 persona konsiderohen të pagjetur. /rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb