Nga: Darina Tanushi

Gjykatat do të dërgojnë pranë gjendjeve civile, kopje të vendimeve për personat e dënuar që do të hiqen nga lista e zgjedhësve të 18 qershorit 2017. “Gazeta Shqiptare” zbuloi pak ditë më parë faktin se do të jenë një pjesë e madhe e të burgosurve, të dënuar për vepra të rënda kriminale nga gjykata që do të hiqen nga listat e zgjedhësve, për shkak të përcaktimit që i është bërë në ligjin e dekriminalizimit. Burimet për mediat bëjnë me dije se mund të jenë rreth 2 mijë të burgosur që, veç dënimit që kanë marrë nga gjykata, tashmë do të kenë edhe një dënim plus, duke u hequr të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.

Ashtu siç deklaroi edhe për “GSH”, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj u shpreh edhe dje për “Top Channel”, se për të vënë në zbatim udhëzimin që doli nga Ministria e Brendshme, bazuar në ligjin për dekriminalizimin, do të ngrihet një grup pune në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për të evidentuar personat që penalizohen. “Do të ngrihet një grup pune së bashku me Drejtorinë e Burgjeve për shkëmbimin e informacionit për personat që janë subjekt i ligjit. Ky ligj detyron edhe gjykatat të na dërgojnë një kopje të vendimeve në mënyrë që të bëjmë ngrirjen e rekordeve zgjedhore”, – tha Doracaj.

Në zbatim të ligjit konsensual të dekriminalizimit, penalizohen personat e dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, vrasje, marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur, heqje e paligjshme e lirisë, shfrytëzim prostitucioni, vepra me qëllime terroriste, trafikim i narkotikëve dhe armëve, shpërdorim i detyrës dhe korrupsion. Vendimi është i zbatueshëm për personat që do jenë duke vuajtur dënimet për veprat e përcaktuara, në momentin e mbajtjes së zgjedhjeve. Udhëzimi i dalë nga Ministria e Bre ndeshmë për përgatitjen e listave të zgjedhësve parashikon në pikën 19 të tij që “çdo zyrë e gjendjes civile në bashki, më datë 08.05.2017 printon nga RKGJC-ja dhe firmos listën e zgjedhësve për çdo qendër votimi, duke përfshirë edhe institucionet e posaçme, nën juridiksionin territorial të saj, të cilat gjithashtu duhet të hartojnë listën e zgjedhësve sipas parashikimit të ligjit nr.138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’ dhe ia dorëzon kryetarit”. Së bashku me udhëzimin, ministria publikoi edhe formularin, me anë të të cilit do të njoftohen të gjithë shtetasit, të cilëve u hiqet e drejta e votimit për shkak të qenies subjekt i këtij ligji. Në tekstin e formularit, ku do të shënohet bashkia, emri i institucionit dhe emri i zgjedhësit, këtij të fundit i thuhet: “Ju njoftojmë se për zgjedhjet për Kuvendin të datës 18.06.2017, në mbështetje të germave ‘a’ dhe ‘b’, të pikës 1 të nenit 2, të ligjit nr.138/2015, ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’, si shtetas që jeni subjekt i këtij akti ligjor, nuk jeni të përfshirë në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të qendrës së votimit”, përfundon formulari i njoftimit të zgjedhësve që i përkasin kësaj kategorie. (Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: