Shqipëria ende vazhdon të ketë një ndër nivelet më të larta të raportit të kredive me probleme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat krahasuese nga Nisma e Vienës, projekt i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), tregojnë se, pavarësisht tendencës pozitive të viteve të fundit, raporti i kredive me probleme në Shqipëri në fund të vitit 2023 ishte i dyti më i larti në rajon, pas Malit të Zi.

Në fund të vitit të kaluar, raporti i kredive me probleme në Shqipëri ishte 4.7%, me një rënie prej rreth 0.3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Mali i Zi mbante nivelin më të lartë në rajon, me një raport të kredive me probleme të raportuar pranë nivelit 5.8%. Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor e kishin këtë tregues në nivele ndjeshëm më të ulëta. Në Bosnje-Hercegovinë ky raport ishte në nivelin 3.8%, në Serbia 3.2%, në Maqedoninë e Veriut 2.7%, 3.1% dhe në Kosovë dhe 2.5%.

Shqipëria ishte ndër vendet ku ky raport vitin e kaluar shfaqi një tendencë pozitive, me një rënie prej 0.3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Edhe në Bosnje-Hercegovinë ky raport ra me 0.7 pikë përqindje, në Malin e Zi me 0.6 pikë përqindje dhe në Maqedoninë e Veriut me 0.1 pikë përqindje. Ky tregues shënoi rritje vetëm në Serbi, me 0.2 pikë përqindje, ndërsa për Kosovën raporti i kredive me probleme ishte në nivele të ngjashme me një vit më parë.

Në fakt, viti 2023 parashikohej si një vit delikat, për shkak se rritje e normave të interesit dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike mund të reflektohej në një rënie të aftësisë paguese të huamarrësve në vendet e rajonit. Por, në përgjithësi tendencat e raportit të kredive me probleme ka qenë pozitive, duke përfshirë edhe vendin tonë, pavarësisht se Shqipëria ka ende një nga nivelet më të larta në rajon.

Sipas vlerësimeve paraprake të INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 3.44% vitin e kaluar.

Goditja inflacioniste dhe rritja e normave të interesit ka sjellë ngadalësim të rritjes ekonomike nga niveli prej 4.8% i vitit 2022, por sidoqoftë ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare ngelen të mira në raport me shumicën e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Përtej asaj që tregojnë statistikat zyrtare, sektori i turizmit vlerësohet të ketë pasur një efekt të rëndësishëm në kërkesën për mallra dhe shërbime dhe në shëndetin e sektorit privat të ekonomisë, megjithëse ky efekt mund të mos jetë plotësisht i dukshëm për shkak të informalitetit të lartë.

Një ndikim të rëndësishëm në mbajtjen nën kontroll të raportit të kredive me probleme besohet se e ka dhënë rritja e vogël e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, por edhe forcimi i lekut në kursin e këmbimit.

Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë të interesit vetëm dy herë në 2023 dhe niveli prej 3.25% ishte ndër më të ulëtit në Europë, larg prej normave të aplikuara nga bankat qendrore në Europë dhe në rajon. Kjo bëri që yield-et dhe normat e interesit të kredive të qëndronin në nivele të ulëta, madje duke e korrigjuar në një masë të madhe rritjen e fortë të fundit të vitit 2022.

Një faktor tjetër që vlerësohet të ketë ndikuar pozitivisht ecurinë e kredive me probleme është forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor. Forcimi i monedhës vendase ka ulur koston e huave në valutë të huaj për kredimarrësit me të ardhura në lekë./E.Shehu

Burimi: Vienna Initative/Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: