Një dhimbje që prek çdo zemër, një humbje që nuk kapërdihet është ajo e ikjes së pakthyeshme të një fëmije. Jo pak mesazhe ngushëlluese i kanë mbërritur shkrimtares së njohur Flutura Açka e cila ditën e djeshme lajmëroi kobin e zi, ndarjen nga jeta të djalit të saj të vetëm.

Shumë miq të saj, përpiqen ta vendosin veten në vendin e Fluturës, për të gjetur fjalët e duhura për të zbutur një dhimbje të madhe. Ka nga ata që edhe pse nuk e njohin nga afër shkrimtaren, ndajnë dhimbjen dhe pëshpëritin me vete fjalë ngushëllimit.

Shkrimtarja Yllka Filipi, në përpjekje për të ngushëlluar Fluturën për humbjen e djalit, poston një mesazh që përlot. Ajo i shkruan se “në pranverën e tetëmbëdhjetë, në agun e së dielës së dasmave…biri yt i vetëm, zgjodhi të largohet në qiell”.

Megjithatë ajo i thotë të marrë forcë nga jehona e buzëqeshjeve të tij, tingujt e zërit të tij, e të jetojë me ëndrrën e tij!

MESAZHI
Mu trand shpirti, sa dhimbje dhe lot! Qoftë i Parajsës dhe i prehrit të Zotit biri yt i shtrenjtë dhe i vetëm Flutura! I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Në këtë rrugëtim të shkurtër dhe të trazuar tokësor, i rëndë ky lajm, plumb! Gjeje udhën, o mëmë e pikëlluar, jeto me dritën e shpirtit e tij, jeto për të! Jeto me jehonën e buzëqeshjeve të tij, jeto me tingujt e zërit të tij, jeto me ëndrrën e tij!

Pikërisht në pranverën e tetëmbëdhjetë, në agun e së dielës së dasmave, ende pa shkrepur dielli majave, brigjeve e shkrepave, biri yt i vetëm, zgjodhi të largohet në qiell, në moshën kur gjithë bashkëmoshatarët e tij, shkëputen nga foleja prindërore, drejt aventurës për në zemër të jetës!

Jerini përzgjodhi një tjetër rruzull, atë botën e bardhë si shpirti, pa re e mjegulla, se stuhitë janë vetëm të tokës! Ndonjë zanë ta rrëmbeu, idhnake si ato!!! E pa ashtu të bukur, të njomë, me dritë…Dhe netët e zeza, nuk janë të qiellit, net eterike!!! Përjetësia është atje! Paqja qoftë e jotja Flutur!

Jam e bindur se do ta prekim e ndiejmë Jerinin në shkrimet e tua, për ta dashur pafundësisht e përjetësisht bashkë me ty!❤

Yllka Filipi-Flutura Acka

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb