Sulmet ajrore izraelite vranë mbi 70 njerëz në Gaza gjatë natës të enjten, thanë banorët dhe autoritetet në enklavën palestineze, disa orë pasi u njoftua një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve për t’i dhënë fund 15 muajve luftë midis Izraelit dhe Hamasit. Mes viktimave janë 20 gra dhe 25 të mitur, ndërsa numri i të plagosurve raportohet mbi 200.

Reuters raporton se sulmet vijnë teksa marrëveshja komplekse e armëpushimit u njoftua të mërkurën pas ndërmjetësimit të Katarit, Egjiptit dhe SHBA-së për të ndalur luftën që ka shkatërruar territorin bregdetar dhe ka ndezur konfliktet në Lindjen e Mesme.

Marrëveshja është parashikuar të zbatohet nga e diela dhe mendohet të shërbejë si një armëpushim fillestar 6-javor me tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Rripi i Gazës, duke lënë pas dhjetëra e mijëra të vrarë. Pengjet e Hamasit, i cili kontrollon enklavën, do të lirohen në këmbim të të burgosurve palestinezë të arrestuar nga Izraeli.

Izraeli do ta konsiderojë të pranuar marrëveshjen pasi ajo të miratohet nga kabineti i sigurisë dhe qeveria e vendit. Është parashikuar që një vendim i tillë të merret gjatë ditës së enjte.

Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi Hamasin se ka bërë kërkesa të minutës së fundit dhe ka kthyer marrëveshjen. “Kabineti izraelit nuk do të mblidhet derisa ndërmjetësit të njoftojnë Izraelin se Hamasi kanë pranuar të gjithë elementët e marrëveshjes”, thuhet në një deklaratë nga zyra e Netanyahut. Ishte e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë vonesa e fundit në marrëveshje.

“Hamasi është i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit të shpallur nga ndërmjetësit të mërkurën”, tha të enjten zyrtari i lartë i grupit Izzat el-Reshiq.

Civilët palestinezë kërkuan që marrëveshja të zbatohej më shpejt.

“Ne humbasim shtëpitë çdo orë. Ne kërkojmë që ky gëzim të mos largohet, gëzimi që u pa në fytyrat tona – të mos e humbasim atë duke vonuar zbatimin e armëpushimit deri të dielën”, tha banori i Gazës, Mahmud Abu Wardeh.

Ndërsa njerëzit festonin paktin në Gaza dhe Izrael, ushtria izraelite kreu më shumë sulme, thanë shërbimi i emergjencës civile dhe banorët.

Mahmoud Basal, zëdhënësi i Shërbimit të Emergjencave Civile palestineze, tha në një deklaratë se 71 palestinezë janë vrarë dhe të paktën 200 të tjerë janë plagosur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb