TIRANE
Gjatë inspektimit të punimeve për rikualifikimin e një tjetër blloku banimi ndërmjet Kombinatit dhe Selitës, në Njësinë Administrative nr.6, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri dhe një apel të fundit për qytetarët që t’i bashkohen Maratonës së Tiranës që zhvillohet më 20 tetor.
“Kryeqyteti gjithashtu përgatitet këtë fundjavë për Maratonën e Tiranës, kështu që ftesa për të gjithë qytetarët nëse janë tipa të vrapit dhe të sportit, të dalin dhe të na bashkohen, të tjerët nëse duhet të dalin për fundjavë të dalin para orës 7:30-8:00 kur ne fillojmë mbylljen totale për maratonën. Kështu sigurohemi që 4,000 të huaj që vijnë në Tiranë, 4,000 mijë vrapues, atletë dhe familjet e tyre të kenë një kohë të jashtëzakonshme në Tiranë, të kalojnë mirë. Tirana të jetë vërtetë një kartolinë e bukur dhe e pastër e imazhit të ri të Shqipërisë”, tha ai.
Mandej kreu i Bashkisë shtoi se po punohet për vendosjen e sinjalistikave për mbarëvajtjen e Maratonës së Tiranës. “Një pjesë e maratonës do të jetë brenda në qytet, kështu që rrugët kryesore tashmë po mbushen me sinjalistikë dhe po pastrohen nga parkimi i makinave, ndërkohë që pjesa tjetër e maratonës do të jenë te Liqeni i Tiranës, një mundësi për të parë pak parqet dhe për t’u siguruar që të dy pjesët, ajo urbane dhe ajo e gjelbër e Tiranës, përshkohet nga itinerari i maratonës”, nënvizoi Veliaj.