TIRANE – Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi është mbledhur paraditen e sotme, dy javë pas arritjes së marrëveshjes mazhorancë-opozitë. Por pas debateve mes të majtëve e të djathtëve, këta të fundit janë larguar nga mbledhja.

Pas largimit të deputetëve Strazimiri, Halimi dhe Ristani, deputeti Fatmir Xhafaj tha se kjo nuk është një seancë dëgjimore me grupin e ekspertëve. Ndërsa shprehur mërzi për largimin e deputetëve të djathtë nga mbledhja, Xhafa tha se “opozita kërkoi që ekspertët të ishin në komision”.

Pas kësaj, Xhafa ka kërkuar që të miratohet së pari dokumenti i analizës, e më pas të miratohet në parim strategjinë e plan-veprimit.

“Dokumentet do t’i dërgohen Komisionit të Venecias”, tha Xhafa.

Pas kësaj, Komisiomi për reformën në drejtësi ka miratuar dokumentin analitik për sistemin e drejtësisë, si dhe janë miratuar në parim strategjia dhe plani i veprimit.

HALIMI: A U KONSULTUA STRATEGJIA ME GRUPET E INTERESIT? XHAFA: DOKUMENTI ESHTE BERE PUBLIK NE QERSHOR
Fatmir Xhafa tha se në këtë takim do të bëhet shqyrtimi i një sërë dokumentesh me rëndësi, ndërsa pika e parë e diskutimit është paraqitja e një projekti paraprak. Por deputeti demokrat Eduard Halimi ka ngritur disa pikëpyetje lidhur me dokumentin analitik, ndërsa për planin e veprimin kanë shprehur dakordësi.

Halimi tha strategjia duhet të jetë e konsultuar me grupet e interesit. Lidhur me këtë pyetje, Fatmir Xhafa tha se dokumenti analitik është bërë publik në qershor, dhe sipas tij në këto 8 muaj ka qasje të panegociueshme.

“Grupi i ekspertëve të lartë nuk është partiak. Procesi bazohet te konsulenca dhe produktet e punës. Dokumenti analitik është bërë publik në qershor dhe 7 tryezat e organizuara janë të regjistruara”, tha Xhafa.

Në vijim të debateve në Komisionin për reformën në drejtësi, deputeti i majtë Pandeli Majko tha se anëtarët duhet të jenë bashkëpunues dhe të sinqertë me njëri-tjetrin në funksion të punës. Ndërsa deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi tha se është me rëndësi që puna e Komisionit të bazohet tek transparenca. Të pranishëm në mbledhjen e sotme të Komisionit për reformën në drejtësi ishin edhe ekspertë dhe përfaqësues të huaj.

OPOZITA LARGOHET NGA KOMISIONI, XHAFA: I MËRZITUR NGA KJO GJË
Deputetët e PD-së, Gent Strazimiri, Eduard Halimi dhe Arben Ristani janë larguar nga mbledhja e Komisionit. Në lidhje me këtë kryetari, Fatmir Xhafa është shprehur i mërzitur dhe shpjegoi arsyet e pakënaqësisë së deputetëve të opozitës.

“I mërzitur nga kjo gjë. Kjo, jo seancë dëgjimore me grupin e ekspertëve. Opozita kërkoi që ekspertët të ishin në komision. Së pari duhet të miratojmë dokumentin e analizës. Të miratojmë në parim strategjinë e planveprimin. Dokumentet do i dërgohen komisionit të Venecias”, tha Xhafa. Në përfundim komisioni ka miratuar dokumentin analitik për sistemin e drejtësisë. Strategjia dhe plani i veprimit janë miratuar në parim çka do të thotë se janë të hapura për konsultim.

PËRFAQËSUESIT E EURALIUS: PRESIDENTI DHE MINISTRI I DREJTËSISË, JO PJESË E KLD
Përfaqësues të EURALIUS të pranishëm në Komisionin për reformën në drejtësi janë ndalur tek pjesa për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke kërkuar që Presidenti dhe Ministri i Drejtësisë të mos jenë pjesë e këtij institucioni.

“Duhet menduar përbërje e re e KLD-së. Shumica në këtë institucion duhet të jenë gjyqtarë. KLD përbëhet nga 11 anëtarë, 6 gjyqtarë, dhe të tjerët janë jashtë sistemit”, u shprehen përfaqësuesit e EURALIUS.

“Në strategji ne nuk kemi paraqitur një alternativë të vetme, por opsionet e ndryshme të zgjidhjeve dhe unë propozoj që ju sot t’i votoni këto dokumente dhe në fazën kur të vijmë te draftimi konkret i dispozitave, atëherë do të jetë momenti kur ne duhet të përcaktojmë zgjidhjet konkrete, alternativën e vetme. Ky proces i hartimit sigurisht që do të kërkojë me patjetër konsultime. Dhe për këtë unë ju ftoj që të gjithë të merrni pjesë pasi ky është proces më i vështirë, por sot duhen votuar”, tha Rainer Deville, përfaqësues i EUROALIUS.

“Ky është hapi i parë dhe në shumicën e vendeve ku ne kemi shërbyer, ky ka qenë hapi i parë për të ndërmarrë hapat e tjerë në vijim më të mëdhenj. Hapi i dytë , zgjedhja e Strategjisë ishte rezultat jo vetëm i dokumentit analizues, por njëkohësisht edhe i punës së bërë nga të gjithë kryetarët e komisioneve dhe bashkëkryetarët të cilët janë bazuar edhe në opinionet e tryezave. Ka qenë një proces dinamik i cili ka kaluar nga procesi i analizës në procesin e daljes në një strategji e cila do të adresonte problemet që janë hasur. Mendojmë që një proces i tillë do të konsiderohej një proces transparent, i hapur dhe që i shërben qëllimit. Vazhdoj në vijim të opinionit të kolegut tim që është një proces shumë i rëndësishëm i cili i paraprin një procesi siç ai i draftimit të projektligjeve. Ju kërkuat opinionin tonë nëse ky dokument duhet votuar ose jo sot? Ky mbetet një mendim i juaji, por sikurse unë dhe kolegu im mbetemi besimplotë se ky është një proces i cili ka vlera për t’u votuar”, theksoi John Smibert, përfaqësues i OPDAT-it.

(b.e/er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb