Mëngjesin e sotëm në “Koha për t’u zgjuar” ishte i ftuar doktori Gerald Kola, i cili u ndal tek vaksinat e fëmijëve dhe frikën që shpesh kanë prindërit për bërjen e tyre, sidomos vaksinën e cila bëhet në moshën 1-vjeçare, për fruthin, dhe lidhjen e tij të dyshuar me spektrin autik.

Mjeku u shpreh se vaksinat janë të domosdoshme të bëhen sepse janë gurthemeli për ndërtimin e imunitetit.

“Trupi i njeriut apo pjesa e imunitetit që na bën të aftë të përballemi me rreziqet e jetës, janë të fituar dhe të lindur. I fituari është ndonjëherë më i forti dhe është ai që ne e marrim nga kontaktet që kemi gjatë jetës në vazhdimësi. Vaksinat këtë bëjnë, na rrisin imunitetin. Pra vaksinat janë të domosdoshme dhe duhen bërë”, tha ai.

Mjeku i ka mëshuar edhe faktit që vaksinat për fëmijët nuk duhen blerë, duke theksuar se sipas tij sistemi i vaksinimit është shumë i mirë në vendin tonë. Ai tha gjithashtu se

“Shteti shqiptar e ka shumë të monitoruar sistemin e vaksinave. Jam kundër blerjes së vaksinave në privat. Nëse pjesët e tjera cedojnë, sistemi i vaksinimit në Shqipëri nuk cedon. Bashkëpunohet ngushtë me organizatat botërore. Shpesh blihet me idenë që fëmija reagon më mirë me vaksinën e blerë. Në fakt do të thoja që mirë është të ketë një reagim dhe të kemi simptoma të sëmundjes sepse kjo është edhe domethënia e vaksinës. Nuk duhet të jetë sikur fëmija nuk ka bërë asgjë.
Jam kundër dhënies së medikamenteve për uljen e temperaturës, deri në 38.5-39”, u shpreh mjeku.

Kola i quajti teori konspirative frikërat për lidhjen e vaksinave me spektrin autik.

“Nuk ka asgjë të vërtetuar që vaksinat e detyrueshme kanë efekte negative. Janë në përdorim prej 100 vitesh, janë e njëjta formulë dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Lidhja e vaksinës me autizmin është teori konspirative. Ka disa studiues të cilët mendojnë që në fakt autizmi mund të jetë një nga hallkat e evolucionit, nuk është përcaktuar si sëmundje”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb