‘Womens Democracy Network’ (WDN), organizatë ndërkombëtare me qendër në Washington DC, i dorëzoi cmimet dy deputeteve Albana Vokshi , Silva Caka si dhe kryeredaktores së BalkanWeb, Danjela (Bonollari) Agushi për rolin e tyre publik në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe luftës kundër dhunës ndaj grave.
Këto çmime ndërkombëtare me motivacion për kontributin e shkëlqyer parlamentar dhe social të kryetares së komisionit të Cështjeve sociale Albana Vokshi dhe deputetes së LSI, Silva Caka është bazuar në kriteret e monitorimit të rreptë sasior dhe cilësor të punës në komisione parlamentare, seanca dhe nisma të ndryshme në terren për kauzat e të drejtave të grave dhe specifikisht masave kundër dhunës me bazë gjinore.

Në ceremoninë e rastit ku merrnin pjesë gra të profesioneve të ndryshme , deputete, politikane me kontribute të veçanta në mbrojtjen e të drejtave të grave, kryetarja e zyrës në Shqipëri, Blerta Balilaj tha se këto cmime dhe motivojnë të gjitha gratë që të punojnë së bashku me politikën, mediat dhe shoqërinë civile që të rritet statusi i gruas shqiptare dhe ajo të mos cenohet në asnjë të drejtë të saj në jetën familjare dhe profesionale.

Zonja Albana Vokshi tha se do të vazhdojë betejën e saj bashkë me koleget palëve të tjera politike të arrijnë në përfaqësimin e grave 50 me 50 % dhe në zgjedhjet politike, në mënyrë që Parlamenti të bëjë edhe më shumë ligje në favor të grave dhe promovimit të tyre në çdo fushë. Viti 2016 tha ajo do të jetë viti i sfidave të mëdha për të rrëzuar muret e rezistencës ndaj zbatimit të të drejtave të grave, promovimit të tyre në çdo fushë dhe luftës kundër dhunës ndaj grave.

Deputetja Silva Caka tha se mbrojtja e të drejtave të grave është kauzë e të gjitha deputeteve dhe viti i ardhshëm do të jetë edhe më intensiv për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ajo tha se lufta kundër dhunës duhet të jetë prioritet jo vetëm i punës në Parlament, por dhe i çdo institucioni, medias dhe shoqërisë civile

Kryeredaktorja e Balkanweb, agjencia informative më e klikuar në Shqipëri, duke falënderuar WDN për këtë vlerësim prestigjioz ndaj punës së medias tha se kjo agjensi i kushton cdo ditë hapësirë realitetit të vështirë të grave në Shhqipëri si dhe misionit të politikës e punës që behet në këtë fushë nga cdo organizatë. Zonja Agushi tha se në luftën kudnër dhunës ndaj grave duhet të marr prioritet të vecantë edukimi i fëmijëve nëpërmjet kurikulave të posaçme në shkollat 9-Vjecare dhe gjimnaze.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb