Partia Demokratike dhe partitë aleate të saj do të zhvillojnë një protestë kombëtare ditën e enjte, 11 korrik, para Kryeministrisë, në orën 20.00. Protesta e opozitës është njoftuar prej disa javësh dhe përgatitjet nisën menjëherë pasi ish-kryeministri Sali Berisha mori vulën e PD.

Prej 11 qershorit, PD zyrtarisht drejtohet nga Berisha pasi Gjykata e Apelit ia hoqi Lulzim Bashës logon e PD, duke mos e legjitimuar si palë në procesin gjyqësor që përplasi në dyert e gjykatave dy kuvendet kombëtare të demokratëve, të 11 dhjetorit dhe 18 dhjetorit 2021. Apeli la në fuqi vendimin e Agron Zhukrit që njohu të ligjshëm ndryshimet statutore të Kuvendit të Berishës.

Moto e protestës së demokratëve është “të bashkuar në betejë” kundër varfërisë dhe skandaleve ku janë të përfshirë disa zyrtarë pranë qeverisë. Por protesta e të enjten nuk do ta gjejë kryeministrin Edi Rama në zyrë. Shefi i ekzekutivit është nisur drejt SHBA-ve për të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s (9-11 korrik). Agjenda e Ramës ka qenë e paracaktuar në kuadër të 75-vjetorit të themelimit të NATO-s. Samiti nis këtë të martë, 9 korrik, në Uashington dhe punimet do të zgjasin deri të enjten.

Rama shoqërohet në këtë vizitë nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme. Gjatë kësaj vizite kryeministri Rama pritet të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të DASH dhe krerë shtetesh të vendeve anëtare të Aleancës.

Ndërsa në punimet e Samitit të NATO-s në Uashington priten të merren vendime të forta sa i takon situatës në Ukrainë por edhe konfliktit Izrael-Hamas në Gaza.

Në ditën e fundit të punimeve të Samitit, 11 korrik, do të mbahet edhe konferenca finale për shtyp e presidentit të SHBA, Joe Biden. Mesazhet e Biden priten me interesa sa i takon konfliktit në Lindje, ku prej dy vitesh Rusia ka nisur luftën ndaj Ukrainës, por edhe për situatën në Gaza.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb