TIRANË

Situata politike në vend ka qenë në fokus të mbledhjes së Kryetarit të PD me kryetarët e partisë në rrethe. Pas raportimeve për përmbushjen e detyrave për organizimin e partisë, që janë realizuar në periudhën Korrik- Shtator, të tjera detaje mësohen rreth aksioneve të ardhshme të selisë blu.

Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se kryedemokrati, Lulzim Basha ka theksuar se partia që ai drejton, duhet të fillojë menjëherë përgatitjet elektorale dhe për aksionin politik.

“Vendi është në një krizë të thellë shumëpalëshe dhe detyra e PD dhe opozitës është të angazhohet seriozisht për të qenë pranë njerëzve dhe për t’i hapur rrugë perspektives europine të Shqipërisë. Opozita ka dhënë propozimet e veta për zgjidhjen e krizës në vend, që kalon përmes zgjedhjeve të njëkohshme parlamentare dhe lokale të parakohshme, me qeveri tranzitore që garanton standardet për zgjedhjet e lira dhe të ndershme”-mësohet të ketë thënë Basha.

Gjithashtu bëhet me dije se pranë Partisë Demokratike do të ngrihet shtabi qendror elektoral dhe politik, shtab ky që më pas do te shtrihet në mënyrë piramidale në të gjithë vendin.

“Puna do të përqendrohet në planin e ofrimit të zgjidhjes për qytetarët, denoncimeve për aferat korruptive dhe kriminale të Qeverisë, bashkimi i faktorëve dhe aktorëve me potencial njerëzor dhe elektoral pranë PD, si dhe hapja e partisë për njerëz me integritet profesional e moral”- ka theksuar Basha, bëjnë të ditur burimet.

Kryetari i PD, Lulzim Basha i ka paraqitur Kryetarëve të Degëve një kalendar të qartë dhe konkret pune, me përgjegjësi dhe afate të qarta. Ndërkohë për aksionin politik, që përfshin edhe protestat,  theksohet se është vendosur që format dhe afatet të përcaktohen në një moment të dytë për të shmangur shfokusimin nga çështjet kryesore që janë aktualisht në vëmendje: fazën finale të zgjidhjes së krizës politike dhe procesi i integrimit europian.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: