TIRANË

Kryeministri i vendit, Edi Rama pasi dëgjoi raportimet e ministrave për gjendjen e krijuar pas tërmeteve, bëri apel që të vijohet puna me identifikimin e dëmeve të sakta në terren. Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme, shefi i qeverisë  pohoi se strukturat shtetërore do të jenë pranë çdo qytetari që ka pësuar dëme  në shtëpi nga lëkundjet e forta të tërmeteve.

“Është bërë gjëja e duhur në të gjitha drejtimet dhe faktikisht dhe përpjekja e nisur me reformën e emergjencave dhe rritjen e vëmendjes në këtë aspekt edhe në sektorët e tjerë, ka dhënë impaktin e duhur në kushte që duhet thënë lavdi Zotit dhe falë bujarisë së natyrës, goditja nuk ka qenë fatale dhe pse ka shkaktuar një panik të madh. Në kontekstin e së tërës dëmet janë pak, por në kontekstin e çdo familjeje, kur ka një dëm, kjo natyrisht është shumë. Do të bëjmë një apel për kompanitë e ndërtimit, që të vënë në gatishmëri individë të stafeve teknike që të shtohet forca monitoruese në terren.

Ai tregoi edhe miqtë të cilët i kanë telefonuar dhe i kanë ofruar ndihmë për të menaxhuar gjendjen e rëndë, e cila u krijua pas tërmeteve që shkundën Durrësin, Tiranën dhe qytetet e tjera të vendit.

“Ajo që më vjen mirë ta them është se menjëherë sapo unë kam marrë lajmin, më ka telefonuar  kryeministri i Italisë  për të më mbështetur. Presidenti Francës, kancelari i Austrisë, por ka edhe të tjerë që janë interesuar dhe për këtë  jam shumë falënderues për miqtë tanë që janë shprehur të gatshëm. Duhet të fokusohemi tek familjet e dëmtuara”-shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: