Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se shumë shpejt do të jetë një njësi super speciale që do të merret me “të fortët” e rrugëve, të lagjeve e të qyteteve. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kreu i qeverisë deklaroi se personat e rrezikshëm nuk do të kenë më mundësi të marrin frymë.

“Nuk mund të ketë në trupën e policisë punonjës mbi 55-vjeç, rrugëdalja do të jetë kuptimplotë financiarisht. Kemi gati një njësi super speciale, që do të merret me të gjithë të fortët e rrugëve, ose të lagjeve ose të qyteteve.

Ajo që e kam anonçuar disa kohë më parë dhe që do të jetë pjesë e presionit të policisë kundër këtyre tipave, që nëse do të vendosin të qëndrojnë në Shqipëri duhet të përgatiten për t’u fshehur në vrima që duhet të jenë shumë shumë të ngushta, përndryshe nuk do të kenë mundësi të marrin frymë”, tha Rama.

Më tej, kreu i qeverisë renditi me shifra aksionet kundër krimit nga Forca e Ligjit. Ndërkohë, ai deklaroi se ka nisur Vettingu në polici dhe po verifikohen 45 dosjet e para.

“Shifrat e kriminalitetit tregojnë se përtej ekranit të okupuar me gjithë katrahura politike e Tiranës janë finalizuar nga Forca e Ligjit 10 operacione më shumë se një vit më parë, plot 20 operacioni, janë goditur 12 grupe kriminale dhe është sekuestruar pasuri 47.2 mln euro, 45 milionë euro më shumë se një vit më parë.

Përsa i përket kriminalitetit të rrugës janë të qëndrueshme në progres, mund të kishte qenë më mirë nëse policia nuk do ishte marrë me lëvizjen antishtet. Vettingu në polici ka nisur, ka filluar verifikimi për 45 dosjet e para. Reformë për uljen e moshës mesatare në polici nga 55-65 vjeç”, u shpreh kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb