TIRANË

Me armë në krahë, të shpejtë e të fuqishëm hapin dyert dhe në pak çaste lënë pistën e aeroportit të Rinasit për t’u arratisur me 10 milionë euro. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për “BalkanWeb” videon e momentit të daljes nga aeroporti të grabitësve, i vetmi moment ku duket qartë që janë 5 grabitës dhe jo 4 siç u raportua fillimisht. Një prej tyre është në timon, katër të tjerët janë jashtë. Personat më të kërkuar për momentin në Shqipëri duken trupa të përgatitur fizikisht dhe të gjatë.



Janë tre që përpiqen të hapin derën fillimisht, ndërsa njëri qëndron anash furgonit duke ruajtur. Më pas Admir Murataj, i vetmi me këmishë bojëqielli futet përpara me shoferin, ndërsa tre të tjerët pas nga dera me shinë e mjetit. Admir Murataj siç dallohet qartë është i veshur ndryshe nga grabitësit e tjerë dhe kjo dëshmon sipas hetuesve se ai është lideri. Ndonëse dera nuk është hapur mirë, shoferi rrit shpejtësinë dhe e hap me forcë me mjet. Grabitësit që janë jashtë automjetit duken të katërt të armatosur dhe nuk i lëshojnë armët për asnjë moment.


Grabitja ndodhi në orën 15:00 të së martës, kur thasët me para sapo ishin ngarkuar në një avion që do të udhëtonte drejt Austrisë, ku ishin edhe 160 pasagjerë. Grabitësit hynë në pistë, morën paratë në barkun e avionit dhe u larguan drejt Fushë-Krujës. Rrugës pati përplasje me armë me policinë.

Grabitësit hodhën granata dhe qëlluan me kallashnikovë drejt furgonit të FNSH. Gjatë përplasjes me armë mbeti i vrarë 47-vjeçari Admir Murataj, i cili ishte në kërkim si i akuzuar për grabitje të tjera dhe i arratisur nga burgjet greke. Identifikimi i tij ishte i vështirë pasi Murataj i ishte nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale për të ndryshuar pamjen e për t’i shpëtuar kështu policisë. Katër bashkëpunëtorët e tij janë ende në kërkim nga policia.

Pamjet janë në duart e prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe po analizohen me qëllim zbardhjen e dinamikës së krimit dhe identifikimin e autorëve të tjerë të grabitjes së 10 mln eurove.

(m.k/BalkanWeb)