Ka rinisur seanca në GJKKO për “Plumbin e Artë”, pas tensioneve që çuan në braktisjen e sallës nga pasi avokati Ilirian Dyzeni, mbrojtës i Besian Xhixhës. Ai ka braktisur sallën duke akuzuar të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumanin, për kërcënim.
“Nuk toleroj mua të më kërcënojë dikush në sallë dhe prokurori të mos reagojë. Nuk mund të më bëjë ai presion mua. Nuk dëgjoj unë atë të më thotë ‘të fus në listë, je në ofertë’”, është shprehur ai.
Ndërkohë, pas rinisjes ka deklaruar se do të tërhiqet pasi nuk mund të vijë në sallë e të përballet me tensionin.
“Kjo nuk është një çështje që mund ta kalojmë në heshtje, sepse këto mesazhe që po na jepen janë të papranueshme”, tha Dyzeni.
Ai deklaroi se Dhoma e avokatisë do të dalë me një vendim lidhur me këtë çështje.
Gentian Rumano që mbron interesat e Henrik Hoxhajt kërkoi marrjen e masave për prokurorin e çështjes Behar Dibra. Ndërsa avokatja Elda Zotkaj që mbron Altin Ndocin tha se do ta kallëzojë prokurorin, pasi edhe ajo më herët pretendon se është kërcënuar nga Nuredin Dumani.
Prokurori theksoi se tensionin nuk e shkaktoi ai në seancë. Në pamundësi për të vijuar procesin gjykata iu kërkoi palëve të respektojnë njëra-tjetrën dhe e shtyu seancën e radhës të martën e ardhshme.
(BalkanWeb)