Nuk ka përkufizim më të saktë të Shqipërisë dhe të situatës së drejtësisë dhe raportit të saj të sëmurë me politikën, sesa ngjarja e të premtes në plazhin e Durrësit, kur një mjet i prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, po me pasagjer jo vetëm atë, por edhe një personazh të botës së errët, u godit me armë, në një atentat mesa duket të mirëmenduar, po ku pati vetëm të plagosur dhe shumë dilema të lëna pas.

Prokurori akuzohej pak javë më parë nga qeveria për bashkëpunim me kriminelë për tjetërsim pronash, ndërsa personazhi tjetër akuzohet nga opozita, po për tjetërsim pronash, në kurriz të një biznesnmeni të madh të huaj, të dhunuar, si pasojë më pas i larguar nga Shqipëria.

Në këto kushte është thuajse e pamundur të kuptosh, nëse atentati kishte për qëllim të njëjtë sulmi të dy, secilin veç e veç apo të dy bashkë. Eshtë e pamundur shkencërisht të provosh nëse prokurori u godit pasi u ekspozua nga sulmi i kryeministrit dhe zëvendësit të tij, apo nëse u godit pasi akuzat ndaj tij janë të vërteta.

Sa për bashkëudhëtarin e tij, nga mënyra sesi atentati është zhvilluar, duket se ai mund të ketë qenë objektivi i vërtetë, dhe kjo sigurisht s`ka lidhje me ekspozimin që mund t`i ketë bërë opozita, sesa me aktivitetin e tij të larmishëm në kronikën e zezë.

Por e frikshme ama është të mendosh, se autorët nuk janë shqetësuar të ruajnë shënjestrën, dhe kanë goditur të gjithë. Çka të shtyn të mendosh se prokurori është quajtur në rastin më të mirë një dëm anësor i parëndësishëm, ose edhe më keq: i konsideruar me indiferencë pjesë e një larjeje hesapesh në parim, mes vjedhësve të mëdhenj të  pronave.

Ajo çka e rëndon situatën, janë veprime të tjera para kësaj ngjarjeje, që vejnë fokusin dhe njëherë në tokat e gjera të ultësirës mes Durrësit dhe Ishmit, pronësia e të cilave nuk u zgjidh kurrë dhe si e tillë u la në dorë të bandave dhe drejtësisë së korruptuar dhe përfundoi në rastin më të mirë, në toka për mbjellje hashashi dhe aeropista të sajuara për trafik kanabisi.

Vetëm pak ditë para atentatit gjyqtarja e durrësit Joana Qeleshi, autorja e vendimit të gjykatës që ka ngjallur sherrin mes personazhit të errët që udhëtonte me prokurorin dhe një pale tjetër në fshatin Draç të Ishmit, dha dorëheqjen dhe u fut në punësim privat. Sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

Sikur asgjë të mos ndodhte pak ditë më vonë, sigurisht edhe si pasojë e atij vendimi. A është ky shembulli më i fundit i aktivitetit kriminal më të organizuar në vend, dhe a kishte të drejtë Adriatik Llalla, kur e quante Durrësin kryeqytetin e krimit të organizuar në vend?

Mesa duket po. Dhe e pamë dhe e përjetuam të gjithë, kur u mor vesh atentati ndaj makinës së Ndojit. Krimi, Drejtësia, Politika: të gjithë në një makinë. Me emëruesin e përbashkët: Vjedhjen. Tjetërsimin. Grabitjen. Në emër të Ligjit, por edhe me forcën e armëve.

Lajmi i mirë i vetëm është së paku Vettingu do të kursejë shpenzime në shqyrtimin e Ndojit. Siç vetë e ka pranuar, me personazhin në makinë e lidhte njohje e vjetër dhe kaq mjafton, që ai të shkarkohet. Lajmi i keq është se Adriatik Llalla paska pasur të drejtë dhe se Vettingu nuk do mjaftojë për të shpleksur një lëmsh interesash, që nuk dihet akoma se ku e ka lidhur cepin e tij të parë.(Realstory.al)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb