TIRANË

Kreu i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi ka reaguar për procesin e ristrukturimit të Partisë Socialiste, e cila sipas tij po kalon pa pasur vëmendjen e duhur mediatike.


Me një status në “Facebook”, Astrit Patozi teksa tregon arsyet se pse mungon kjo “lloj zhurme” nënvizon faktin se shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se e gjitha kjo panoramë ngjan me një shfaqje teatrale, pasi sipas tij, partitë politike në vend nuk bëjnë zgjedhje, por thjesht emërime duke mos respektuar garën e brendshme.


Reagimi i Patozit:

PSE NUK KA LAJM PËR ZGJEDHJET NË PARTINË SOCIALISTE?


Pothuajse po mbyllen zgjedhjet e brendshme të Partisë Socialiste dhe nuk ndjehet të ketë asnjë vëmendje mediatike. Sot lajmi ishte që në takim mungonte Edi Rama dhe jo se çfarë po ndodh realisht me forcën politike, që mban e vetme prej më shumë se dy vjetësh timonin e qeverisë.

Mos i kërkoni më kot arsyet tek frekuenca e lartë e ngjarjeve të pazakonta, që ne prodhojmë si shoqëri dhe aq më pak tek shtypi si pasqyrë e deformuar e tyre. Nuk është faji i publikut që njeh edhe detajet më të imta të jetës së Bledian Rrahjes dhe nuk ka asnjë informacion për të ardhmen e partisë më të madhe në vend, sipas zgjedhjeve të fundit.

Dikush mund të thotë se është zbehur interesi i shqiptarëve për politikën në këto vitet e fundit, por kjo është shumë larg të vërtetës. Sepse, është e kundërta, për sa kohë që politIka vijon të mbetet shumë përcaktuese për fatet e tyre.

Problemi është se të gjithë e kanë kuptuar se gjithçka është teatër, ndaj edhe nuk kanë asnjë lloj kurioziteti për ta ndjekur shfaqjen. Sepse në partitë tona nuk bëhet zgjedhje, por emërime, dhe kjo epidemi ka prekur të gjithë sistemin politik. Sepse e njëjta histori vijon më pas me listat e deputetëve, emrat e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe me çdo të zgjedhur tjetër në këtë vend.

Ndaj edhe lajmi sot ishte që në mbledhje mungonte Edi Rama, dhe jo se çfarë thanë, bënë apo vendosën gjithë të tjerët, që presupozohet të jenë rreth 100 mijë burra dhe gra në partinë e vetme qeverisëse në Shqipëri. Sepse gjithë të tjerët nuk kanë asnjë vlerë, ngaqë secili prej tyre e ka emrin më laps dhe karriera e gjithëkujt varet thjesht dhe vetëm nga humori i “udhëheqësit”.

Është pikërisht kjo arsyeja pse refuzimi për të reformuar sistemin tonë të dështuar politik vjen kryesisht prej aty, ku gravitacioni i pushtetit të kryetarokracisë është më i fortë. Nga shefat e partive kryesore, të cilët sot mund të jenë të gatshëm të zihen për gjithçka në këtë botë, madje edhe për datën, por jo për ruajtjen e statukuosë, për të cilën duket qartë se ka një pakt të heshtur midis tyre.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: