Drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako në një intervistë për emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se tërmeti që ra në Durrës, ishte me pasoja shkatërrimtare.

Çako dha edhe shifra. Ai tha se zyrtarisht 30 qytetarë kanë ndërruar jetë, ndërsa 20 të tjerë janë nën rrënoja.


Sikurse dihet se të gjithë shqiptarët janë në ankth që mëngjesit të djeshëm për shkak të një tërmeti të fuqishëm. Kemi kaluar disa tërmete këtë vit, për fat të keq të vendit tonë. Për fat të mirë, më parë nuk kemi pasur humbje të jetë të njerëzve. Kemi disa objekte të rrënuara totalisht dhe kemi 30 qytetarë që kanë humbur jetën. Nga këta 14 janë humbur jetën në Durrës, 15 në Thumanë dhe 1 në Kurbin. Sa kemi informacion, së paku 20 vetë janë nën rrënoja. Grupet e kërkim –shpëtimit janë të kualifikuar dhe ato çdo veprim e kryejnë në kushtet e bindjes se personi është ende gjallë. Në këto kushte, të shpresojmë sadopak”, tha Çako.


Në lidhje me ndërtimet e vjetra, Haki Çako u shpreh se qeveria ka nxjerrë një ligj për të shpallur se cilat ndërtime janë të banueshme e cilat të pabanueshme.


“Dëmet janë të konsiderueshme dhe ndaj u shpall Gjendja e Jashtëzakonshme. Strukturat tona kanë qenë në këmbë që në orët e para të tërmetit. Mund të them me bindje të plotë se të gjitha strukturat e Emergjencave Civile në vend janë në një operim shumë korrekt. Nuk ka fakte ose një akt në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile që një pallat është i pabanueshëm. Kuptohet se pallatet bëheshin me punë vullnetare dhe lënë për të dëshiruar. Pas këtij tërmeti me pasoja të rënda, del e domosdoshme për të parë se cilat struktura nuk janë më të pabanueshme dhe ndaj kemi nxjerrë ligj për të klasifikuar nëse një objekt ose godinë është e banueshme ose jo”, deklaroi Çako.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb