Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka përmendur rastin e vogëlushit shqiptar, Alvin Berisha, i shpëtuar pak javë më parë nga kampi i tmerrit “Al Hol” në Siri, teksa ka folur në konferencën ndërkombëtare me temë “Feja si instrument i paqes”.

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit Shqiptar deklaroi se i gjithë opinioni u trondit nga rasti i Alvinit, ndërsa shtoi se ai u shpëtua falë gazetarisë profesionale të huaj dhe vendase.

Më tej, Meta deklaroi se duhen ngritur urgjentisht qendra rehabilitimi për t’iu ardhur në ndihmë personave që shpëtohen nga kampet e luftës, në mënyrë që të përballojnë traumat e përjetuara.

“Sot rajoni ynë përballet me sfidat e përbashkëta me kampet në Siri. Vendi u trondit nga rasti i Alvin Berishës. Falë gazetarisë profesioniste vogëlushi u shpëtua dhe është pranë familjes.

Por ka edhe kampe të tjera që ndodhen me dhjetëra gra e fëmijë. Duhet të ngrihen urgjentisht qendrat e rahabilitimit. Viktimat e këtij fenomeni duhet të identifikohen dhe integrohen, duhen përkrahur, që të bëhen pjesë e shoqërisë, pranë familjeve të tyre”, deklaroi Meta.

Më tej, Kreu i Shtetit deklaroi se gjuha shqipe ka një fjalë të artë dhe që është e vështirë të gjejë përkthim në çdo gjuhë të botës, dhe që është fjala “BESA”.

“Gjuha shqipe ka një fjalë të artë, që është “BESA”, fjalë unike, që vështirë të gjejë përkthim në çdo gjuhë të botës. Kjo përfaqëson frymën, shpirtin dhe karakterin e kombit tonë. Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë, ku në fund të Luftës së Dytë Botërore, numri i hebrenjve ishte më i madh se në nisje të luftës”, tha Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb