Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar me forcë ndaj Partisë Socialiste, duke kërkuar largimin e materialeve zgjedhore nga zyra elektorale e PS në Delvinë. Sipas saj, kjo zyrë është në shkelje të hapur të ligjit zgjedhor, një fakt që tashmë është konfirmuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
E shoqëruar nga kryetari i PD në Delvinë, Erigers Hamiti, Zhupa deklaroi se denoncimi i tyre ndaj zyrës së PS është pranuar nga KQZ dhe se materiali propagandistik i PS duhet të largohet menjëherë.
“Kandidati i PS na tha që do të dilnim bllof. Nuk dolëm aspak bllof – dhe si gjithmonë, kemi të drejtë,” – u shpreh Zhupa.
Duke komentuar ironinë e përdorur nga kandidati socialist, që e krahasoi Delvinën me Trojën, deputetja e PD theksoi se qyteti dikur ishte simbol i zhvillimit dhe jetës aktive, ndërsa tani, sipas saj, është shkatërruar nga 12 vite qeverisje socialiste.
“Delvina ishte dikur madhështore – kishte institucione, rini dhe biznese. Sot, falë një reforme territoriale të dështuar, është zbrazur nga gjithçka. Institucionet janë larguar, bizneset kanë dështuar dhe rinia është detyruar të largohet,” – deklaroi Zhupa.
Duke ju drejtuar qytetarëve, ajo tha se zgjedhjet e 11 majit janë një mundësi për të kthyer dinjitetin e humbur dhe për të ringjallur qytetin nën drejtimin e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore.