Nga: ENTON ABILEKAJ*

Saimir Tahiri nuk doli rastësisht dje në foltoren e Kryeministrisë, nuk doli rastësisht të flasë për progres-raportin një javë pasi kishte dalë dhe 5 ditë pasi e kishte diskutuar në Parlament. Për rreth 30 minuta, ai bëri një pasqyrë të punës së policisë, duke përsëritur thuajse të njëjtat gjëra, duke evidentuar të njëjtat “suksese në luftën me botën e krimit”. Por nuk kishte pyetje. Të gjitha këto, për të fshehur se arsyeja e vërtetë ishte t’i përgjigjej ambasadorit amerikan. Dalja në foltoren e Kryeministrisë i jepte fuqinë e një përgjigjeje në emër të qeverisë. Pa e përmendur, duke tentuar ta quajë inekzistente deklaratën e fortë të Donald Lu, Tahiri ecte i bindur në shtegun që kishte çarë Rama para tij, për të mos e lënë të ngjisë fjalën e ambasadorit amerikan.

Të martën pasdreke, ambasadori Lu tha se Emiljano Shullazi, i akuzuar për vrasje dhe trafik narkotikësh, nuk është çuar para drejtësisë, ndërsa Arben Frroku u lejua të largohej në mënyrë misterioze ndërsa pritej vendimi i Apelit. Dihet që Apeli e shpalli fajtor vëllain e deputetit të mazhorancës, që njëkohësisht ishte i dyti në listën e partisë aleate të Ramës, pavarësisht se akuzohej që atëherë për vrasjen e Dritan Lamajt.

Nuk ishte hera e parë që publiku i dëgjonte këto. Opozita, nga foltorja e saj dhe nga ajo e Kuvendit, i ka përmendur dhjetëra herë. Në media dhe në debate televizive janë përmendur me detaje, por nuk kanë pasur efektin e së martës, kur i përmendi Lu. Niveli i ulët i besueshmërisë së medias dhe eksponentëve të opozitës është një arsye, që i bashkëngjitet përvojës së përdorimit të akuzave për të kaluar debatin politik, me shpikje faktesh apo shtrembërime të tyre. Një tjetër arsye është që, asnjëherë nuk është tentuar t’u shkohet akuzave deri në fund. Asnjë parti apo përfaqësues publik që e ka formuluar akuzën publikisht, nuk është bërë shkak që Prokuroria të nisë hetimin, ose nuk i ka çuar vetë për hetim. Përdorimi politik i akuzave dhe institucionit të akuzës, i kanë zhveshur nga besueshmëria, por edhe nga efekti i habisë apo i revoltës që duhet të shkaktojnë te publiku.

Donald Lu, me deklaratën e së martës, i dha një tjetër peshë. Besueshmëria dhe autoriteti i ambasadorit amerikan u dhanë peshë akuzave. Përmendja e emrave i nxori nga pluhuri i betejave politike në dritën e diellit dhe përmendja e fakteve qartësoi shënjestrën. Sistemi i Drejtësisë nuk është i vetmi fajtor. Në dy nga tri rastet që përmendi Lu, faji ishte i policisë, dhe uniformave blu në këto raste nuk ua ka mbyllur sytë korrupsioni, por urdhri politik. Faji bie mbi drejtuesit politikë, mbi Saimir Tahirin si ministër dhe Edi Ramën si kryeministër. Dalja e Saimir Tahirit në emër të qeverisë, duke përmendur sukseset dhe duke injoruar me qëllim deklaratat e Lu, duket si aksionet qesharake pas shkrimeve të Blushit, me porosinë e Ramës për përgjigje pa u përmendur emri. Ministri, Kryeministri dhe “transparenca.al”, nuk mundën dot t’i përgjigjen ambasadorit. Ashtu si në përgjigjet për Blushin, problemet i lanë aty, në zyrat e Kryeministrisë. Vjershën e arritjeve nuk e mëson njeri përmendësh. Edhe Saimir Tahiri kërkon letër përpara. Akuzat e Donald Lu janë aty. Ato nuk mund të zhbëhen edhe sikur qeveria t’i arrestojë Shullazin dhe Frrokun. Faji është kryer, por arrestimi i tyre mund t’i jepte shpresë publikut që kryeministri nuk bashkëpunon me kriminelët, dhe shkak i lirisë së tyre nuk është vullneti i tij.

Me daljen e djeshme, Tahiri konfirmoi se ai dhe shefi i tij, nuk do reagojnë pas akuzave të Lu, që në të gjitha rastet përfaqëson jo vetëm qëndrimin e SHBA-ve, por të gjithë komunitetit ndërkombëtar, përfshirë edhe Bashkimin Europian. Fshehja nëpër faqet e progres-raportit nuk ishte alternativë në këtë rast. Përgënjeshtrimi i ambasadorit, ose pranimi i fajit pritej dje nga Tahiri dhe Rama. Pas monologut të Tahirit, fjalët e Lu dëgjohen më fort. Duke i ikur fajit, Tahiri dhe Rama e pranuan ekzistencën e tij.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: