Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, në një intervistë me gazetarin Osman Stafa në News 24, u pyet për procesin e primareve në Partinë Demokratike.

Bardhi tha se primaret janë një proces për t’u vlerësuar, pasi vulosin meritokracinë, teksa zëri i anëtarësisë merr kuptim. Ai shtoi se gjatë primareve duhet pasur kujdes, që mos të krijohet destabilitet në parti.

Osman Stafa: Primaret, i shërbejnë Partisë Demokratike? E dëmtojnë, e hapin? Cili është mendimi juaj?

Gazment Bardhi: Padiskutim që një parti demokratike do të duhet të bazohet tek vota. Por, në çdo proces të brendshëm gare apo zgjedhje do të duhet të tregohet kujdes për të mos krijuar më shumë destabilitet në PD. Edhe për faktin se përgjatë këtyre 3 viteve ne kemi kaluar momente të vështira të debateve tona të brendshme në PD. Ky duhet të jetë momenti kur nga një periudhë destabiliteti, partia kalon në një periudhë stabiliteti.

Në parim, është absolutisht vlerë për Partinë Demokratike që në proceset e veta të brendshme udhëhiqet nga vota e anëtarëve të partisë, por kjo do të duhet të bëhet me shumë kujdes, me rregulla strikte të funksionimit të saj, që mos të sjellë pasoja negative për Partinë Demokratike.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb