Studentët beogradas dhe ata novisadas prej ditësh po e trandin Serbinë dhe pushtetin tejet autokratik të Vuçiq. Aksioni i tyre po projekton ndikimin te shumë kolegë jashtë vendit, lidhur me formën e përballjes ndaj autokratëve. Aq shumë prodhojnë lajme në median e huaj, saqë prirja e tyre po mirëpritet si një nga mjetet për të trandur autokratët bajagi të shumtë të demokracinë post ‘90. Dhe, nuk janë pak. Në Ballkan i kemi para syve dhe janë pothuaj në të gjitha vendet tona, kush më shumë e kush më pak në pushtet: në Evropën Qendrore kulmon Orbani dhe modeli i tij “hungarez”; në atë të Lindjes kemi drejtuesit sllovakë e çekë dhe, më thellë drejt Azisë, vetë Putinin, Carin modern rus.

Në Bullgari situata do të ndryshonte pak kohë më parë, kur një grup teknokratësh të rinj sfiduan sistemin politik të Sofjes. Në vitet e fundit kemi edhe raste të tjera sporadike, por që të gjitha mbesin në fund… Nuk është vendi për t’u ndalur te të gjitha dhe veçmas, porse është e habitshme pse nuk përfitohet në Shqipëri? Pse nuk kemi marrë shembuj, që mund t’i trandin të korruptuarit dhe të ndryshohen elitat? Njësoj si në vendet e lartpërmendura, ajo që i bashkon të gjitha vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore është një fill gati i përbashkët, që mund të konsiderohet edhe si emërues: Sistemi i ri demokratik është shumë i korruptuar dhe përpjekja e vetme është ta ndryshosh në burim, ose me një deux at machina; populli mbetet shumë i propaganduar, nuk ka si shpjegohet që autokratët pëlqehen dhe nuk e lëshojnë pushtetin; e përfundimi që mbetet është se: problemet mbeten shumë të mëdha në demokracitë e reja. Jo më kot, hapësirat tona në Ballkan po boshatisen, ashtu si popullsia shqiptare po përgjysmohet, kurse pjesa intelektuale, që do mbante barrën është gjithnjë e më shumë në ikje.

Përllogaritjet e ekspertëve të INSTAT-it kanë treguar se Shqipëria deri në vitin 2020 kishte përqindjen më të lartë në rajon të emigrimit të njerëzve të arsimuar dhe studentëve, që jetojnë jashtë vendit (Monitor, 2024). Problemi duket më i majisur, kur mendon se prirjet që kanë përcjellë demokracinë në Evropën Lindore dhe Qendrore ka qenë një lloj lajmërimi edhe për ndryshimet, që do të ndodhnin në SHBA. Referimet dhe parashikimet e para në Evropë për mundësinë e ardhjes së Trump 1 i lanë me gisht në gojë njësitë amerikane të sondazheve dhe kolegët e përtej Atlantikut, që nënvleftësonin fuqinë Trump-janë prej luftës hibride, atë kibernetike dhe fuqinë e lajmeve të pavërteta. Historiani Timothy Snyder e ngriti narracionin e tij për këtë argument në sythin e 16 të traktatit “Mbi Tiraninë” shumë thjesht por me një simbolikë, që ai e merr nga realiteti amerikan.

Ai u kërkon bashkëqytetarëve të tij amerikanë të merrnin masivisht pasaporta, sepse nga një statistikë ku mbështetej, rezultonte se amerikanët nuk kishin shumë angazhim për dokumente udhëtimi. Vetëm duke parë dhe mësuar se ç’bëhej jashtë vendit, sidomos në Evropë mund të ndryshonin Amerikën. “Lufta do të jetë e gjatë. Edhe nëse ajo kërkon sakrifikim, fillimisht do të kërkojë vëmendje të vazhdueshme për botën përreth nesh, në mënyrë që ne të dimë se ndaj kujt po rezistojmë dhe se si mund ta bëjmë këtë më mirë”. Fjalët dhe referimet e Snyder lidhen vërtetë me mandatin e parë të Trump-1, por fillesat e Trump-2 po duken njësoj shqetësuese dhe treguan se publiku kudo tashmë nuk logjikon më për të ardhmen dhe ç’është më e keqja nuk i bën përshtypje asgjë. Mëtimet e Trump-2 për marrjen e Groenlandës, ‘bashkimin’ me Kanadanë, marrjen e Kanalit të Panamasë, madje për disa raste syresh duke përdorur dhe forcën ushtarake, po tregojnë pse propaganda dhe letargjia po e mbyt pak e nga pak idilin e demokracisë. Po ne shqiptarët e këtej dhe përtej kufirit pse jemi kaq të përgjumur?! Shqetësimi më “i madh” dhe i vetëm deri tani në Shqipëri është nëse administrata e re Trump do të heqë apo jo “non gratën” e familjes Berisha (!), ashtu si presin në të njëjtën kohë edhe në Republika Srpska, Serbi dhe pak vende në Ballkan. Lajmet e orëve të fundit, që ndjekin vendimin e tretë ekzekutiv të administratës Biden për korrupsionin, tregojnë se nuk do të jetë aq e lehtë sa mendohet në Tiranë, Beograd, Shkup, Banja Luka, Prishtinë etj..

Historia e deritanishme amerikane ka treguar se personat “non grata” nuk preken në “sikletin e tyre”. I vetmi fat i rajonit është se ende ka peshë të vogël në skakierën ndërkombëtare dhe jo atë që na prezantojnë politikanët ballkanas, kuptohet kur nuk plas ndonjë luftë dhe ky rajon i vockël ka eksportuar vërtetë luftëra të mëdha. Shtuar këtu edhe me shkatërrimet e luftërave të post viteve ‘90. Në Shqipëri nuk po e mësojmë dot, ashtu si vendet e tjera, se demokracia ka detyrime shumë të mëdha dhe kërkon vazhdimisht përpjekje për të mbajtur gjallë frymën e kontrollit ndaj institucioneve të vendit tënd dhe mbi të gjitha: pushteti nuk u lihet individëve të korruptuar. Vota është e vetmja që bën ndryshimin, paçka se edhe asaj i është gjendur marifeti prej propagandës. Ndaj, mbetet e habitshme sesa pak bën përshtypje korrupsioni në Shqipëri, ashtu si mungesa e kulturës së refuzimit ndaj së keqes. Nuk mbaron këtu: problem akoma më i madh është se nuk përfitojmë dhe nuk dimë të mësojmë. Të korruptuarit e administratës Rama nuk janë raste të veçuar, janë pjesë e një sistemi që me sjelljen e tij cinike dhe luksin e frikshëm po i largon të rinjtë, intelektualët, njerëzit e të gjithë fashave.

Mungesa e shpresës prej premtimeve të boshta të opozitës, të artikuluara nga z. Berisha, e shton edhe më shumë këtë trend. Ato pak momente reagimi të pakta në vitet e fundit kanë mbetur të ngulitura në kujtesën tonë për shuarjen e shpejtë dhe shpresën e paktë që ngjallën. Nuk po flasim për studentët, që pak vite më parë provuan diçka, që u shua nga përçarja, konfuzioni dhe mbi të gjitha mungesa e theksuar e kulturës së protestës, të cilën e shkatërrojnë maxhoranca me opozitën, gati me metoda të njëjta. Koha po tregon se demokracia mazhoritare është gjithmonë një udhë plot problematika, ngaqë nuk ofron mjaftueshëm stabilitetin e mjaftueshëm politik. Rasti i Shqipërisë po përshfaq se në këtë tollovi të përbotshme, politikanët marrin vetëm shembujt që u mbajnë pushtetin, kurse njerëzit nuk përfitojnë nga ajo shembuj që po bëjnë demokracitë, të cilat e kërkojnë ndryshimin. Është pak ironike, por duket e vërtetë. Në kohën e tij, një nga etërit e demokracisë klasike, Platoni, do të ishte edhe më i hidhur: Demokracia është një rrezik për shkak të vetë lirisë së tepërt! Veçse demokracia greke ishte e drejtpërdrejtë, jo ‘përfaqësuese’ si e jona, ku vota përfaqësohet nga njerëz që nuk e respektojnë zgjedhësin po thjesht vendimin e kryetarit të PS apo PD-së në parlament.

Grekët e vjetër nuk zgjidhnin njerëz që merrnin vendime për ta, ishin votuesit që i merrnin ato vendime. Kjo është larg përfytyrimit sot, ku të korruptuarit të qesëndisin, pushtetarët nuk “i largohen” dot pushtetit, kurse publiku i gjerë kontrollohet përmes indoktrinimit dhe propagandës. Rasti ynë është edhe më shqetësues, pasi ndikimi i demokracisë së huaj në fasha të ndryshme shoqërore është inekzistent, kurse vendin e drejton një miks forcash, ku “të pasurit dhe të fuqishmit kanë mësuar shumë kohë më parë të zgjedhin dhe të manipulojnë politikanët që pretendojnë se drejtojnë, por në fakt janë oligarkët që shkruajnë politikat aktuale të qeverisë”, citojmë David Spero në shkrimin “Why our democracy doesn’t work” (Pse nuk funksionon demokracia jonë?!), që i drejtohet rastit amerikan. Në fakt, ngjan si dy pika uji me rastin tonë, ku jemi përballë cinizmit të korrupsionit të frikshëm dhe publikut të propagandizuar në thelb, që nuk mëson dot nga përvojat e mira. Dhe, nëse në Amerikë duhej pasaporta, që të mësonin; në Shqipëri duhet që thjesht të dyshosh, për ata që e kanë krijuar këtë gjendje. Kaq “e pakët” është, por sa e vështirë për shpatullat tona. (Homo Albanicus)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb