Markus Brunnermeier, Harold James
ZVICER- Që kur kriza europiane e borxhit sovran shpërtheu në 2009, të gjithë kanë pyetur se çfarë do të ndodhte nëse një vend lë eurozonën. Fillimisht, debati u përqendrua në shtetet e krizës: Greqi, Portugali, Spanjë ose Itali. Më pas pati një diskutim më tepër hipotetik se çfarë do të ndodhte nëse vendet me bilanc pozitiv të fortë, le të themi Finlanda apo Gjermania, largoheshin.

Mbi të gjitha u shfaq një konsensus, se dalja e një vendi mund, ashtu si rënia e bankës Lehman në 2008, të nxiste një kolaps më të gjerë. Tani me Zvicrën ne kemi vetëm një shembull se çfarë rreziqesh mund të shfaqen kur një vend me bilanc pozitiv del nga eurozona.

Në shtator 2011, Zvicra e lidhi monedhën e vet me euron duke vendosur një limit përballë mbiçmimit të shpejtë të frangës zvicerane si pasojë e krizës financiare që filloi në 2008. Vendi u bë një anëtar shtesë dhe i përkohshëm në bashkimin monetar europian. Por, më 15 janar, Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) papritur dhe papandehur braktisi tavanin.

Sigurisht, dalja nga një bashkim i vërtetë monetar është më komplekse dhe më e tensionuar ligjërisht sesa t’i japësh fund një rregullimi të përkohshëm të kursit të këmbimit; efektet e një lëvizje të tillë do të ishin shumë më të mëdha. Megjithatë, lëvizja e Zvicrës zbulon të paktën disa nga pasiguritë që mund të krijohen nga dalja e plotë e një vendi anëtar nga eurozona.

SNB-ja nuk u detyrua të veprojë përballë një goditjeje spekulative. Asnjë krizë financiare nuk e detyroi dhe në teori, drejtoria e SNB-së mund ta kishte mbajtur kursin e këmbimit dhe të blinte asete të huaja për një kohë të pacaktuar. Por kritikat e brendshme për ndërtimin e rezervave të mëdha të kursit të këmbimit (aseteve në euro) nga SNB po rriteshin.

Veçanërisht, konservatorët e Zvicrës nuk e pëlqyen rrezikun ndaj të cilit SNB ishte ekspozuar. Duke pasur frikë se obligacionet e qeverisë së eurozonës ishin të pasigurta, ata u nxituan të kërkojnë që SNB të sigurojë rezerva ari në vend të kësaj, duke detyruar një referendum mbi këtë çështje. Ndonëse iniciativa për të kërkuar që një pjesë e caktuar të rezervave të ishin në ar dështoi, mundësia që Banka Qendrore Europiane të ndërmarrë politikë të lehtësimit sasior në shkallë të gjerë (të printojë euro), së bashku me rënien e kohëve të fundit të euros kundrejt dollarit, e shtuan presionin politik për të braktisur tavanin e kursit të këmbimit.

Ndonëse ekonomistët i kanë krijuar modele analitike për rastet e sulmeve financiare, ka pasur pak studime për rastet kur presioni politik bëhet i padurueshëm dhe një bankë qendrore dorëzohet. SNB, për shembull, kishte shpallur besnikëri ndaj tavanit vetëm disa ditë përpara se t’i jepte fund. Si rezultat, tregjet do të hezitojnë tanimë t’i besojnë deklaratave të bankave qendrore për politikën e ardhshme dhe sinjalizimet paraprake (një instrument madhor pas-krizë) do të jetë shumë më i vështirë për t’u ndjekur.

Ekziston precedent historik për fitoren e presionit politik dhe për veprimin e fundit të Zvicrës. Në fund të viteve 1960, Bundesbankës iu desh të blinte asete dollari për të ndaluar rritjen e markës gjermane dhe për të ruajtur besueshmërinë te politika e saj e kursit fiks të këmbimit. Diskutimi në Gjermani u përqendrua në rreziqet që Bundesbank po ndërmerrte duke vepruar në këtë mënyrë, si dhe në presionin inflacionist që vinte prej kursit fiks të këmbimit. Disa konservatorë gjermanë në atë kohë do të kishin preferuar të blinin ar, por Bundesbanka i kishte premtuar Rezervës Federale se nuk do ta vinte dollarin në presion duke shitur rezervat e saj të arit.

Në 1969, Gjermania në mënyrë të njëanshme rivlerësoi markën gjermane. Por kjo nuk mjaftonte për të penguar hyrjen e valutës së huaj dhe Bundesbanka ishte e detyruar të vazhdonte ndërhyrjen. Ajo vazhdoi të pakësonte interesin e vet bazë, por hyrjet valutore vazhduan. Në maj 1971, qeveria gjermane, kundër dëshirave të Bundesbank – braktisi krejtësisht lidhjen e markës me dollarin dhe vendosi kursin e lirë luhatës.

Politika triumfoi mbi zotimet e bankës qendrore. Brenda tre muajve, pasojat shkatërruan krejt sistemin monetar ndërkombëtar dhe presidenti i SHBA-ve, Riçard Nikson e hoqi dollarin nga standardi i arit. Besueshmëria e të gjithë sistemit të zotimeve të bankës qendrore kishte rënë dhe politika monetare ndërkombëtare ishte bërë jashtëzakonisht e paqëndrueshme. Marka gjermane u vlerësua dhe jeta u bë shumë e vështirë për eksportuesit gjermanë.

Sot, pasojat globale të veprimeve të një banke qendrore madhore janë më të theksuara sesa në 1971. Kur Bundesbank veproi në mënyrë të njëanshme, bankat gjermane nuk ishin shumë ndërkombëtare. Por tani financa është globale, që do të thotë ekspozim më i madh i bilanceve ndaj lëkundjeve të valutës.

Bankat e mëdha të Zvicrës e financojnë veten në franga zvicerane, sepse shumë njerëz kudo duan sigurinë e aseteve të frangës. Ata më pas blejnë asete kudo nëpër botë, në valuta të tjera. Kur kursi i këmbimit ndryshon befas, bankat përballen me humbje të mëdha – një version i shkallës së gjerë i strategjisë së pronarëve hungarez të shtëpive për të marrë borxh në franga zvicerane për të financuar blerjet e pronave të patundshme.

Ndonëse SNB-ja kishte dhënë shumë paralajmërime se lidhja e frangës me euron nuk ishte i përhershëm, dhe ndonëse kishte imponuar që bankat të kenë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit më të lartë për bankat, ndarja nga euro erdhi si tronditje gjigante. Aksionet e bankave zvicerane ranë më shpejt se indeksi i përgjithshëm i bursës së Zvicrës.

Rreziqet e krijuara nga vendimi i SNB, të transmetuara nga sistemi financiar, e kanë bishtin e gjatë. Efektet negative për ekonominë e Zvicrës, nëpërmjet rënies së konkurueshmërisë të industrive të eksportit (përfshirë turizmin dhe mjekësinë), mund të jenë duke treguar që tani se braktisja e kursit fiks me euron nuk ishte një ide e mirë.

Por pasojat nuk do të kufizohen me Zvicrën. Pas vitesh hamendësimesh nëse dalja e një vendi të vogël dhe të dobët nga ana fiskale si Greqia mund të dëmtojë euron, politikëbërësit duhet të përballen me një edhe më të madh që buron nga dalja e një vendi të vogël, të fortë nga ana fiskale që nuk është madje as anëtar i Bashkimit Europian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: