Nga qyteti i Beratit, ish-kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje demokratëve të kapërcejnë hatërmbetjet dhe të bashkohen për një qëllim të përbashkët: fitoren më 11 maj.

Në takimin me demokratët e këtij qyteti, Berisha deklaroi se Partia Demokratike është më e bashkuar se kurrë dhe po lufton për të përmbysur, siç e quajti ai, “diktaturën aktuale.”

Berisha theksoi vështirësitë me të cilat është përballur PD ndër vite, duke u shprehur: “Kanë dashur të na copëtojnë, por sot jemi në këmbë për të bërë të pamundurën të mundur.”

Ai e cilësoi këtë moment si një shans historik: “Tani jemi në një start të fuqishëm drejt fitores. Për ne që kemi luftuar diktaturën staliniste, ky është shansi më i madh i jetës sonë: të çlirojmë Shqipërinë nga kjo diktaturë që po zbraz vendin. Kjo kërkon bashkimin e të gjitha kontributeve tona, nga vitet ’90 deri më sot. Politika nuk është arti i inateve personale apo hidhërimeve, por i qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta.”

“U përpoqën të na bëjnë copë e cikë, por sot jemi më të bashkuar se kurrë. U përpoqën të na gjunjëzojnë më të gjitha mënyrat, por sot jemi më në këmbë se kurrë. U përpoqën, na e morën flamurin, logon, na hoqën emrin nga lista e votimit, vetë që të mos ishim, por ja ku jemi. Arrestuan, terror dhe dhunë, por ne ja ku jemi sot. Këto dëshmojnë se ju gra dhe burra fisnik jeni njerëz që të pamundshmet i bëni të mundura.

Ne jemi në këmbë sot si parti që bëjmë të pamundurat të mundura. Kjo do të thotë se ne jemi në këmbë si parti që do të përmbysim diktaturën aktuale në Shqipëri.

Tani jemi në startin e fuqishëm drejt fitores. Unë ju them ju, se ky është për ne që luftuam diktaturën staliniste, ky është shansi më i madh i jetës tonë, të çlirojmë Shqipërinë nga kjo diktaturë që po e zbraz vendin. Kjo kërkon jo vetëm bashkimin e të gjitha kontributeve tona në PD nga 90 deri më sot, politika nuk është kurrë arti i inateve personale, i hidhërimeve, por i qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta. Ndaj dhe këtu nga ky qytet i bekuar ftoj çdo demokrat, të bashkohemi dhe të lëmë mënjanë cdo hatërmbetje. Të kthemi në gjenin tonë të tolerancës”, u shpreh Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb