Presidenti i Federatës së Atletikës në Shqipëri, Taulant Stërmasi, ka ndarë detaje të reja në lidhje me përfshirjen e entitetit që ai drejton në edicionin e këtij viti të Maratonës së Tiranës, në emisionin “Log.” të gazetarit Endri Xhafo.

Ai theksoi rëndësinë e aspektit teknik për garën, duke shpjeguar se për këtë edicion federata do të jetë shumë e angazhuar.

“Është shumë e rëndësishme ana teknike. Këtë radhë besoj se do jemi shumë gati. Do përgatitemi që vrapuesit të mos kenë rrugë të shkurtra; do kemi monitorues dhe besoj se rezultati do jetë real në përfundim,” tha Stërmasi. Ai gjithashtu njoftoi se vitin tjetër planifikojnë të rishikojnë rrugën e maratonës, për të përfshirë një pjesë të unazës së re, duke shmangur përsëritjen e të njëjtës xhiro në distancën e maratonës.

Nga ana tjetër, themeluesi i “Triathlon Albania”, Eduard Dalla, ndau mendimet e tij mbi Maratonën e Tiranës. Ai vuri në dukje se, ndonëse maratona është psikologjikisht e lodhshme, xhiroja mund të realizohet në dy pjesë.

“Në Shqipëri janë pjekur kushtet për të bërë një maratonë të plotë. Është e rëndësishme që do ketë një nismë dhe pjesëmarrja pritet të rritet me kohën dhe me influencat e ndryshme,” tha Dalla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb