Një person është dhunuar me sende të forta një ditë më parë pranë një kompleksi pallatesh në zonën e ish sheshit shqiponja.

Gazetari Igli Çelmeta raporton se i dhunuari është identifikuar si Adriatik Roshi i cili ka qenë pranë një njësie biznesi në momentin që është sulmuar nga disa persona të cilët e kanë goditur me sende të forta. Prej pasdites së djeshme Adriatik Roshi vijon të jetë në reanimacion në spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore. Ai ka marrë dëmtime në pjesën e kokës dhe në gjymtyrë.

Hetuesit e komisariatit nr. 3 në kryeqytet, pasi kqyrën kamerat e sigurisë, kanë ndaluar dy persona Gani Koçeku dhe Ledio Tusha.

Për ta marrë në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes policia po punon edhe për ndalimin Tur Kocekut si person që mund të ketë dijeni për ngjarjen.

Ndërkohë personat e shpallur në kërkim janë shtetasit Ronald Koçeku, Luçiano Koçeku, Dino Koçeku dhe Gëzim Koçeku.

Njoftimi i policisë:

Identifikohen 6 shtetasit që goditën me sende të forta, një 48-vjeçar, në një berberhane, 2 ditë më parë. Vihen në pranga 2 prej tyre, punohet për kapjen e 4 të tjerëve. Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu, që i posedonin këta shtetas, 2 automjete dhe disa veshje që kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të një konflikti të ndodhur më datë 05.01.2025, si pasojë e të cilit u dëmtua më sende të forta shtetasi A. R., 48 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, Komisariati i Policisë Nr. 3 ka finalizuar operacionin e koduar “Details”. Si rezultat i këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. K., 24 vjeç dhe L.T, 31 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K., L.(A.). K., G. K. dhe D.(A.). K.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.01.2025, në një berberhane, në rrugën “29 Nëntori”, kanë goditur me sende të forta, dyshohet për motive të dobëta, shtetasin A. R., 48 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

1 armë zjarri pistoletë, me leje, që u gjet në banesën e shtetasit L. T.;
1 armë gjahu, që u gjet në banesën e shtetasit D. K.;
2 automjete që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje;
Veshje që dyshohet se kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes, të cilat u gjetën në njërin prej këtyre automjeteve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb