Ishin të detyruar të mbijetonin në kushte dramatike jetese dhe kjo i bëri ata më të ekspozuar ndaj sëmundjeve kronike, por edhe më jetëgjatë se sa bashkëmoshatarët e tyre, sipas një studimi të publikuar në rrjetin e JAMA Open, që studion qëndrueshmërinë që karakterizon të mbijetuarit e Holokaustit.

Studimi i drejtuar nga shërbimi shëndetësor ”Makabi” në Tel Aviv, ka përfshirë më shumë se 38 000 burra dhe gra të lindur në mes viteve 1911 dhe 1945 në Europë dhe të mbijetuar gjatë persekutimit dhe dëbimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Duke krahasuar të dhënat e tyre me ato të 35 000 personave të tjerë, të lindur në Izrael në të njëjtin vit, u pa se mbijetuarit e Holokaustit kishin shkallë më të lartë të sëmundjeve kronike se sa të lindurit në të njëjtin vit në Izrael, të tilla si obeziteti (33% ndaj 26%), hipertensioni ( 83% ndaj 67%), kanceri (29% ndaj 28%), sëmundjet e veshkave (31% ndaj 20%), sëmundjet ishemike të zemrës (15% ndaj 12%), demenca (17% ndaj 10%), por edhe një normë më të ulët të vdekjes (25% ndaj 41%) dhe një moshë mesatare më të lartë të vdekjes, 85 vjeç, kundrejt 78.

”Arsyet që mund të shpjegojnë këto përfundime kanë nevojë për studime të mëtejshme, pasi duhet të llogaritim aftësinë për t’u përballur dhe për të kapërcyer një ngjarje traumatike”, thotë ”Makabi”.

“Kështu mund të argumentohet fakti se grupi i individëve të mbijetuar në kushtet ekstreme të Holokaustit është më rezistent ndaj sëmundjeve”, thekson ky shërbim shëndetësor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb