Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit tha sot se është më  i vështirë procesi i negociatave, pasi BE-ja  ndodhet në situatë tjetër dhe përballet me qëndrime të ndryshme brenda unionit. Me fjalët e Sami Frashërit, shefi i qeverisë theksoi se Shqipëria është shumë pranë hapjes së negociatave, pavarësisht se ky proces, sot është më i vështirë seç ka qenë vite më parë.

“Shqipëria e ndodhur kundrejt Europës, shumë shpejt mund të hyjë në qytetëri dhe të përzihet me Evropën”. Këto janë fjalët që Sami Frashëri i shkruante në fund të shekullit të 19. Ajo çka Sami Frashërit i dukej një mundësi shumë e shpejtë, në fakt ka kërkuar një shekull në mes dhe sot që flasim nuk mund të themi se është një mundësi shumë e shpejtë, ende. Për këtë është me rëndësi që të përpiqemi të gjithë që ta nxjerrim debatin për Europën  nga sherri i përditshëm dhe nga nevoja e përditshme për të prodhuar sherr duke u përpjekur për të bërë sherr, duke gënjyer vetën dhe shqiptarët, pasi çështja është shumë më e gjerë dhe thelbi është shumë më i thellë se sa i gjithë ndërveprimi mes nesh dhe i gjithë akuzave të ndërsjella për kush e ka fajin, pse s’po ndodh.

Dëgjova dhe sot, këtu, që të ngrihet pyetja se a është Shqipëria gati për të hapur negociatat? Besoj se pyetja është legjitime dhe meriton një debat. Kur ngrihet si pyetje retorike dhe pastaj merr atë përgjigje e lehtë, e pastaj kjo argumentohet me qëndrimin e Holandës apo Gjermanisë, që medemek shikojnë më thëllë nga Komisioni Europian që paguhen nga Franca dhe BE për të parë thellë e më thellë, vetvetiu ikim nga thelbi dhe futemi në katundin tonë duke u përpjekur t’u themi shqiptarëve se unë jam ai që duhet të më dëgjoni dhe besoni, dhe jo parafolësi. Shqipëria është gati me kë, në raport me çfarë? Sot cilido nga vendet e BE që është tani më i integruar pas rënies së perandorisë Komuniste nuk do futej dot në BE.

Sot cilido nga vendet që është në BE, nuk do futej në BE, sepse sot BE është në një debat të brendshëm e nuk ka në konsideratë ekspansionin e BE, por daljen nga një situatë që e ka vendosur BE në një pozitë të vështirtë në raport me fuqitë e tjera. Nëse duam të flasim dhe të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të ndihmojnë njerëzit se çfarë kuptojmë ne, të paktën në këtë çështje është, që mos të bëjmë politikën mizerabël të ditës. Shqipëria sot është pa diskutim shumë më gati për të hapur negociatat seç kanë qenë  të gjitha vendet e tjera për të hapur negociatat. Procesi i hapjes së negociatave është bërë më shumë kërkues”-tha Rama.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: